Flet Rashica: “Ëndërroj të jem në Europian”

0
SHPËRNDAJE

rashica-1

Shumë i lumtur për ftesën e marrë për herë të parë pas paraqitjeve të jashtëzakonshme duket Milot Rashica në grumbullimin me U21, për tju bashkuar më pas kombëtares së madhe.

Klas i jashtëzakonshëm në fushë dhe modesti prej kampioni jashtë saj. Vetëm 19 vjeç, por Milot Rashica mban statusin e një prej talentëve më të mëdhenj të futbollit shqiptar. Me paraqitjet te Vitesse është shndërruar në një prej yjeve të kampionatit holandez, duke vendosur në vështirësi edhe trajnerin Gianni De Biasi, që u detyrua ti krijonte një hapësirë në Kombëtare, edhe pse jemi në javët e fundit të përgatitjeve për Euro 2016. Pas ndeshjes së të enjtes me Shpresat kundër Greqisë, Rashica do ti bashkohet Kombëtares A për miqësoren e dytë, më 29 Mars ndaj Luksemburgut.

“Jam shumë i lumtur për ftesën. Shpresoj që të shkoj atje, të kaloj sa më mirë dhe të jap të gjithë maksimumin tim për të gjitha këto ndeshje me Kombëtaren. Për momentin jam i përqendruar me ekipin Shpresa. Jo vetëm për mua por, për të gjithë ne është një ndeshje shumë e rëndësishme. Synimi është të bëjmë një ndeshje të mirë dhe pse jo të fitojmë. E më pas kur të shkoj në Kombëtaren e madhe shpresoj që gjithçka të shkojë mirë edhe aty”, tha Rashica.

Ëndrra e madhe e Milot Rashicës është pjesëmarrja me Shqipërinë në Kampionatin Europian. Djaloshi nga Vushtrria e ka të qartë se duhet të vazhdojë sezonin fantastik, për të shpresuar te ftesa nga De Biasi.

“E kam thënë edhe më parë, që ajo është një ëndërr e imja, por trajneri është ai që vendos. Unë do të vazhdoj të jap maksimumin, si me Shpresat, ashtu edhe me Vitessen. Shpresoj ta mbyll një sezon shumë të mirë. Për atë nuk i dihet, është trajneri ai që vendos”, tha ai.

25 ndeshje në 28 javë të Eredivisies, 7 gola të realizuar, asist për shokët e ekipit dhe shpërthime mbresëlënëse në krah. Ky sezon, të cilin edhe vetë Rashica e përkufizon “jashtëzakonisht të mirë”, e ka vendosur 19-vjeçarin në vitrinë. Napoli në Serinë A, Tottenham, Everton e Southampton në Premier League-n angleze, Ajax e PSV në Holandë dhe gjigandët turq të Galatasaray-t kanë shfaqur interes për yllin kuqezi. Ofertat konkrete ende nuk kanë ardhur, ndërsa Milot Rashica lë të hapur çdo mundësi.

“Për momentin jam i përqendruar dhe ndihem shumë mirë te Vitesse dhe shpresoj të vazhdoj kështu. Është një klub jashtëzakonisht i mirë, që u jep mundësi lojtarëve të rinj. Në ekip jemi thuajse të gjithë futbollistë 18-19 apo 20 vjeçarë. Për momentin nuk mund të them asgjë. Unë ndihem shumë mirë atje, por futbollit nuk i dihet”.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.