FSHF/ Komiteti Ekzekutiv vendos ndryshimet në kampionat. Ja vendimet e plota

0
SHPËRNDAJE


Komiteti Ekzekutiv, organi kolegjial vendimmarrës në FSHF, ka zhvilluar sot mbledhjen përkatëse, ku ka diskutuar dhe ka vendosur për “maketin” e sezonit të ri futbollistik. Në tavolinë kanë qenë disa propozime të klubeve të Superiores, që kishin kërkuar shtimin e numrit të të huajve (në fushë) për çdo skuadër. Po ashtu, ekzekutivasit kanë vendosur startin e Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë për sezonin futbollistik 2017-2018. Më konkretisht, Kategoria e Parë starton me ndeshjet e javës së parë, të cilat do të luhen më 9 shtator. Diçka e ngjashme me vitin e kaluar, kur FSHF-ja e spostoi në fillim të shtatorit nisjen e kësaj gare kombëtare, ndryshe nga më parë, kur kampionati niste në fund të muajit gusht. PO në mbledhjen e sotme është fiksuar edhe numri i të huajve, që lejohen në përbërje të skuadrave të Superiores.
Qëndron në fuqi numri 4, i lojtarëve të huaj në fushë, që mund të luajnë në një skuadër. Në rregulloren e aktivitetit është bërë një ndryshim sa i takon pezullimit me kartonë të verdhë. Duke nisur nga sezoni i ri, futbollistët do të pezullohen me një ndeshje pas 4 kartonëve të verdhë, jo 3 kartonëve të verdhë, siç ka qenë deri tani. Ekzekutivi ka fiksuar edhe datën e nisjes së Kategorisë së Parë, në të cilën do të garojë për herë të parë në historinë e vet edhe Tirana. 16 shtatori i fton skuadrat e kësaj kategorie t’u rikthehen stadiumeve dhe futbollit të luajtur. Sektori i Garave kishte bërë propozimin përkatës, për ndarjen e dy grupeve të Kategorisë së Parë. Tirana, skuadra e futbollit më e titulluar në Shqipëri, do të garojë në Grupin e Jugut, me misionin për t’u rikthyer menjëherë në elitë.

Kategoria e Parë
Grupi A: Korabi, Besëlidhja, Dinamo, Kastrioti, Egnatia, Besa, Erzeni, Burreli, Vllaznia B, Tërbuni
Grupi B: Tirana, Bylisi, Apolonia, Turbina, Shkumbini, Pogradeci, Tomori, Iliria, Shënkolli, Naftëtari

Ja vendimet e plota:
Komiteti Ekzekutiv në mbledhjen e ditës së hënë, pas disa propozimeve të mbërritura në FSHF nga ana e të gjitha klubeve, mori vendimet përkatëse në lidhje me sezonin e ri të garave, i cili do të hapet zyrtarisht me finalen e Superkupës së Shqipërisë, në datën 6 shtator. Ndërkaq, në lidhje me datat e kampionateve, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së vendosi:
Kategoria Superiore, edicioni 2017-2018 starton në datë 9 shtator
Kategoria e Parë, edicioni 2017-2018 starton në date 16 shtator
Finalja e Superkupës së Shqipërisë do të luhet në datë 6 shtator
Komiteti në mbledhjen e sotme gjithashtu vendosi që: Numri i kartonave të verdhë për një futbollist nga 3 të verdha me sanksionim me një ndeshje, kalon në 4 të verdha skualifikim për një ndeshje, për edicionin e ri. Në lidhje me futbollistët shqiptarë të Maqedonisë, Komiteti vendosi të futet në rregullore dhe të konsiderohen si lojtarë shqiptarë, njësoj si parashikon rregullorja aktuale e garave me futbollistët kosovarë.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.