FSHF sqaron problemin e “vonesës”

0
SHPËRNDAJE

fshf
Deklarata
Kombëtarja e Shqipërisë e cila kishte programuar për tu nisur sot nga Vjena për në Luksemburg, nuk ka arritur të udhëtojë drejt destinacionit të saj. Kjo sepse është penguar nga proçedurat e kompanisë “Lux Air” e cila operon për këto udhëtime me kompaninë “Austrian Airlines”. Pas zhvillimit të stërvitjes së planifikuar në orën 10.00 dhe pas ngrënies së drekës, ekipi është paraqitur në Aeroportin e Vjenës, 1 orë e gjysëm përpara fluturimit. Avioni i kompanisë “Lux Air”, duhej të nisej në orën 15.00. Por pasi ishte kryer proçesi i prerjes së biletave për pjesën më të madhe të ekipit e delegacionit dhe kur kishin mbetur vetëm 3 persona pa u pajisur me biletë, punonjësit e kësaj kompanie, kanë ndërprerë veprimet në mënyrë të njëanshme duke mos pranuar që të presin biletat dhe të kryejnë veprimet për pjesën tjetër të ekipit.
Pavarësisht këmbënguljes dhe protestave të vazhdueshme të përfaqësuesve të delegacionit shqiptar, punonjësit e kompanisë “Lux Air” që operon me kompaninë “Austrian Airlines”, nuk pranuan të bashkëpunonin, për ta zgjidhur këtë situatë dhe nuk lanë asnjë mundësi zgjidhjeje, deri në fund. Për këtë shkak, u vendos që edhe pjesa tjetër e skuadrës e cila kishte kryer veprimet, të mos hipte në këtë avion.
Për të mos shkaktuar prishje të regjimit të skuadrës, kombëtarja u kthye në hotel në kryeqytetin austriak Vjenë. Nesër paradite ajo do të zhvillojë seancën stërvitore si zakonisht dhe në orën 15.00 do të niset për në Luksemburg. Federata Shqiptare e Futbollit, ka prenotuar për këtë udhëtim avion çarter, duke mos pranuar që të udhëtojë me avionin e kompanisë “Lux Air”, pas kësaj situate të krijuar prej tyre.
Pas kësaj ngjarje të papreçedentë, të ndodhur sot në drekë në Aeroportin e Vjenës, Federata Shqiptare e Futbollit do të ndjekë të gjithë hapat ligjorë për dëmtimin moral dhe financiar të shkaktuar nga kompania “Lux Air” e cila operon me “Austrian Airlines” dhe është e vendosur që ti shkojë deri në fund kësaj çështjeje.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.