Prestigjozja franceze kryqëzon lojtarët shqiptar

0
SHPËRNDAJE

elseid hysaj

Pas ndeshjes “së famshme” mes Austrisë dhe Shqipërisë ne duhet të kuptojmë që ishte vetëm një miqësore, por që zhgënjeu shumë pasi pritshmëritë ishin të mëdha. Ajo ka qenë “syri dhe veshi” i shqiptarëve ditën e djeshme dhe mesa duket jo vetëm, por i gjithë Europës. Duke qenë se një ndër rivalet më të forta të Shqipërisë është dhe Franca, ajo është ndjekur dhe nga shumë francezë.

Prestigjozja franceze “Francefootball” i ka kushtuar një artikull ndeshjes midis Austrisë dhe Shqipërisë. Ironia therëse dhe thumbimet drejt lojtarëve tonë shqiptarë nuk kanë munguar duke thënë haptas që Franca do e ketë mjaft të lehtë, pasi nënvlerëson qartazi kombëtaren tonë. Mbrojtja e anës së djathtë ishte katastrofë dhe reparti kishte probleme të mëdha, këto ishin dy pika të forta që analiza e bërë nga gazeta franceze la në shijen tonë. Më poshtë do të jetë dhe shkrimi i tyre e për të mos lënë vend për interpretime të tjera lexojeni ju vetë:

Sulmojeni nga ajri – Nuk e pamë për asnjë moment Shqipërinë që mundi Francën në verën e vitit 2015. Skuadra ishte shumë e shthurur dhe e ndarë në disa pjesë. Repartet nuk bashkëpunuan me njëri-tjetrin, ndërsa Austria mund të bënte çfarë të donte në ajër. Mavraj, Cana, Abrashi dhe të tjerë nuk arritën të bllokonin sulmet e Austrisë.

Deshamp duhet të marrë shembull nga strategjia austriake. Shqipëria nuk arriti të godiste asnjëherë të vetme portën e Almer. Harnik duhet të falënderojë Mavrajn për gabimin trashanik që bën dhe pasi shënoi, duhet t’i thotë: Jam i lumtur që të takova.

Shqipëria nuk shkëlqeu në mbrojtje dhe diçka e tillë nuk ndodhte prej kohësh. Skuadra e De Biazit është vërtet e fortë në këtë repart, ndërsa këtë herë lejoi Alaban me shokë të shkonte sa herë të donte drejt Berishës. Kishte panik edhe në goditjet standarde.

Nga e djathta, asgjë – Hysaj-Lila vuajtën shumë dhe lejuan që skuadra e Austrisë të bënte gjithçka. Nuk koordinoheshin dot me njëri-tjetrin, ndërsa në sulm nuk ndihmuan aspak. Andi Lila kryesisht duhet të bëjë një shpëlarje truri, ose më mirë të na tregojë çfarë kishte në mendje mbrëmjen e djeshme. Sigurisht nuk prisnim që Shqipëria të dominonte Austrinë, por prisnim më shumë.

Nga krahu i djathtë nuk pati asnjë reagim nga ekipi shqiptar, ndoshta edhe nga fakti se nuk u ndihmuan aq sa duhet nga Abrashi, Xhaka dhe Kaçe. Ky i fundit e la skuadrën me dhjetë lojtarë në minutat e fundit, kur ekipi ishte duke luajtur më mirë dhe priste golin e barazimit.

Pritshmëritë ishin të mëdha për Elseid Hysajn, i cili me Napolin është duke shkëlqyer. E pakuptueshme performanca e tij ditën e djeshme ndaj Austrisë, por ndoshta kishte marrë vetëm detyra mbrojtëse nga trajneri i tij.

Lenjani i kthjellët – Mund të kishte shkuar edhe më keq për Shqipërinë, në rast se do të zbrisnin me të njëjtën ide, fytyrë edhe në pjesën e dytë të ndeshjes. U pa qartë se Xhani De Biazi ka ngritur zërin në dhomën e zhveshjes dhe ka kërkuar menjëherë reagim nga skuadra e tij.

Të vetmin rast të rrezikshëm në pjesën e parë e pati Lenjani, i cili goditi nga larg dhe provoi të shënonte golin e parë. Falë zëvendësimeve të bëra, De Biazi kuptoi gabimet dhe Shqipëria filloi të luante më mirë. Cikalleshi dhe Roshi treguan më shumë vullnet, dëshirë dhe impenjim.

Loja e mirë solli edhe golin e Lenjanit, i cili u koordinua në mënyrë perfekte, duke shënuar golin e shpresës. Një gol, i cili i dha forcë Shqipërisë dhe Franca duhet ta ketë kujdes këtë pjesë. Megjithatë duhet të jemi të sinqertë, në rast se Franca nuk merr 3 pikë ndaj Shqipërisë në kampionatin europian, nuk ka për të bërë rrugë të gjatë në këtë kompeticion”,  shkruhet në analizën e francezëve.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.