Gega akuzon Kukësin, polemikat skanë të sosur

0
SHPËRNDAJE

Superiorja/ Nga takimet ballë për ballë dhe bisedat konkrete për të rritur cilësinë e Kukësit, në luftë të hapur mediatike. Nga njëri krah klubi kampion i Shqipërisë dhe në anën tjetër trajneri Skënder Gega. Palët ishin fare pranë bashkëpunimit. Emërimi i ish-trajnerit të Kombëtares Shpresa dukej fakt i kryer, por në fund gjithçka qëndroi. Kukësi vazhdon të kërkojë një trajner të ri, ndërsa pretendon se me Gegën është biseduar, por pa u paraqitur një projekt konkret. Në këtë pikë, vjen edhe reagimi i ish-futbollistit të Partizanit dhe Kombëtares, që akuzon drejtuesit e Kukësit se mashtrojnë rreth situatës.

“Më vjen keq, që tifozët e ekipit i cili u shpall kampion i Shqipërisë, duhet të dëgjojnë të tilla reagime, pasi meritojnë të dëgjojnë për arritje sportive, suksese dhe profesionalizëm. Përfaqësuesit e klubit, të deleguar nga presidenti, kanë pasur takime të vazhdueshme me mua, prej afro 2 muajsh. Më ofruan disa kohë më parë postin e drejtorit teknik, për të më ideuar më pas si trajner, por e kam refuzuar për respekt të kolegut tim Ernest Gjoka, i cili ishte në detyrë gjatë asaj periudhe.”

Trajneri me një të kaluar edhe në Kombëtaren e 19-vjeçarëve kuqezi, në stafin e Kombëtares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe në kampionatin e Kuvajtit zbuloi bisedat për planet e Kukësit të edicionit të ri dhe përgatitjen për tu prezantuar si trajner.

“Kur Kukësi ishte zyrtarisht pa trajner, përfaqësuesit e lartë të klubit, të deleguar nga presidenti, biseduan me mua, jo vetëm duke më bërë ofertë konkrete financiare, por në ditët e fundit bashkarisht kemi dhënë mendimet për mënyrën se si duhet ndërtuar skuadra, ku përfshihen edhe elementë të caktuar brenda ekipit. Pra, pjesa e projektit tim, që ata pretendojnë se nuk është bërë, konfirmoj se ka arritur deri në detaje. Madje, edhe duke vendosur mbi stafin qe duhet larguar dhe afruar. Është e vërtetë që me presidentin Gjici, jam takuar vetëm një herë, por ishte i mjaftueshëm për të qartësuar pozicionin tim. Pak minuta pas atij takimi, përfaqësuesi më i lartë i Kukësit, i deleguar nga presidenti, më njoftoi që të përgatitesha për prezantimin në paraditen e së nesërmes.”

Në reagimin e tij Skënder Gega i kërkoi drejtuesve të Kukësit të mos abuzojnë me të vërtetën, si edhe akuzoi se mesazhi që mbylli mundësinë e bashkëpunimit ka dalë nga klubi. 53-vjeccari hodhi poshtë edhe pretendimin se do ta shfrytëzonte skuadrën për të rritur emrin e tij, pasi në fakt nga një bashkëpunim i mundshëm perfituesi më i madh do të ishte klubi veri-lindor.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.