Gianni De Biasi “djeg” Zidane-n

0
SHPËRNDAJE

Me dy fitore në pesë ndeshje, Gianni De Biasi i dha Alavesit pikët e para sezonale dhe rindezi shpresat e skuadrës në garën për mbijetesën në elitën e futbollit spanjoll.

Zgjedhjet në fushë dhe jashtë saj i kanë dhënë deri diku të drejtë ish-trajnerit të Shqipërisë. Ashtu sikurse edhe vendimi për të lënë jashtë skuadrës Enzo Zidane, djalin më të madh të legjendës franceze Zinedine Zidane, aktualisht trajner i Realit të Madridit.

Pas transferimit gjatë verës te klubi bask, Enzo shpresonte që do të gjentë hapësira për t’u aktivizuar dhe ashtu ndodhi në javët e para. Por, prej emërimit të De Biasit në stolin e Alaves, në pesë javë të La Ligas, 22-vjeçari ka qëndruar në tribunë.

E vetmja ndeshje ku është aktivizuar nën urdhrat e ish-teknikut “kuqezi” ishte ajo e fituar në Kupën e Mbretit përballë Getafes, me djalin e Zinedine Zidane që luajti si titullar dhe u zëvendësua në minutën e 68-të.

Edhe pse në moshë fare të re, Enzo Zidane po përjeton një moment delikat në karrierë. Djaloshi i rritur në Akademinë e Realit të Madridit nuk është mes preferencave të De Biasit as për stolin e rezervave.

Pavarësisht cilësive dhe klasit që djaloshi ka trashëguar nga i ati fitues i Topit të Artë, trajneri italian zgjedh të hedhë në fushë futbollistët që ndoshta kanë më pak kualitet, por garantojnë intensitet në lojë dhe sakrifikohen për skuadrën.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU