Gjici fal lojtarët. Zeqiri largohet

0
SHPËRNDAJE

Superiorja/ Milinkoviç ia hodhi paq pas humbjes kundër Partizanit, por presidenti i Kukësit Safet Gjici ka zhvilluar sot një mbledhje urgjente me skuadrën dhe ka vendosur gjoba me kusht, duke kërkuar dy fitore në dy ndeshjet e radhës, kundër Laçit e Skënderbeut.

Klubi verilindor ka postuar një njoftim në faqen zyrtare në internet, duke komunikuar ngjarjet e sotme, ku përfshihet prishja e kontratës me mesfushorin Hair Zeqiri. Vlonjati është kritikuar kohët e fundit nga drejtuesit e klubit dhe kjo gjë e ka shqetësuar pa masë, duke kërkuar prishjen e kontratës ditë më parë. Sot Gjici ka dhënë miratimin për të lënë të lirë mesfushorin, i cili mbyll aventurën e dytë kuksiane, por këtë radhë jo në mënyrën si do të dëshironte.

Ndërkaq, Gjici ka mbajtur një diskutim para skuadrës, duke u dhënë edhe ultimatumin për ndeshjet e radhës:  “Ju kam dhënë dhe do keni mbështetjen time maksimale, por nuk pajtohem me rezultatet e deritanishme, ndaj kërkoj reagim të menjëhershëm. Dua fitore ndaj Laçit dhe Skënderbeut dhe nuk do ketë penalitete për askënd, nëse i merrni pikët e radhës. Edhe stafi teknik do ketë mbështetjen dhe besimin tim, sepse është staf profesionist dhe i ka mundësitë bashkë me ju që të rikthehemi tek fitoret që me Laçin. Unë kam qenë dhe do jem korrekt me ju, ndaj dhe ju duhet të arrini rezultate, të justifikoni besimin dhe investimin tim”.

Në lidhje me Zeqirin: “Po sot mesfushori, Hair Zeqiri, pritet të zgjidhë kontratën me klubin. Zeqiri pak ditë më parë ka deklaruar vetë në seancën stërvitore para stafit dhe shokëve të ekipit se nuk do të jetë më pjesë e Kukësit. Kjo çështje është diskutuar dhe sot në klub. Klubi duke vlerësuar kontributin që ka dhënë Zeqiri dhe në sezonin e dy viteve më parë me bluzën e Kukësit, e falënderon atë, por nga ana tjetër është i gatshëm që ta lërë të lirë lojtarin në fjalë dhe të zgjidhë kontratën dypalëshe me mirëkuptim dhe pa detyrime ndaj njëri-tjetrit. Procedurat vijojnë sot”.

Safet Gjici duke inagururar “Roza Haxhiun”

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU