Gjici i thotë të gjitha

0
SHPËRNDAJE
Loading...

gjiciNjë gol që mund të evitohej dhe një rast i pastër i pashfrytëzuar në fundin e ndeshjes. Edhe pse u kthye me humbjen minimale 1-0, te Kukësi janë të bindur se do ta kalojnë Austrinë e Vjenës, në turin e dytë eliminator të Europa League. Duke nisur nga presidenti i veri-lindorëve, Safet Gjici.

“Ishim të pafatë në ndeshjen në Austri, që për të qenë realistë duhej të përfundonte në barazim. Nuk ka faj askush, as Emini për rastin e humbur në fund. Paraqitja e skuadrës në pjesën e dytë të lojës na jep besim se mund ta përmbysim situatën në ndeshjen e kthimit dhe pavarësisht se Austria e Vjenës është një ekip i madh. Ne të gjithë mendojmë se mund të kalojmë në turin e tretë. Nuk kemi aspak presion dhe skuadra është e qetë. I kam kërkuar lojtarëve të luajnë ashtu si në pjesën e dytë në Vjenë. Nëse shënojmë në pjesën e parë, kemi shanse të mira”.

Në Elbasan Arena, Kukësit do ti rikthehen tifozët. Por, Gjici kërkon mbështetjen e të gjithë sportdashësve. Sipas tij, me paraqitjet e këtyre katër viteve në Europë, Kukësi ka dhënë kontribut për imazhin e Shqipërisë në aktivitetet ndërkombëtare.

“Kërkoj që tifozët të na mbështesin ndaj Austrisë së Vjenës. Jo vetëm ata që bëjnë tifo për Kukësin, por të gjithë sportdashësit, sepse me turet që kemi kaluar në Europë gjatë këtyre viteve i kemi dhënë një imazh ndryshe futbollit shqiptar. Kur luajmë në kupa, nuk përfaqësojmë vetëm klubin tonë, por të gjithë vendin. Për këtë arsye ka ndodhur që huazuam lojtarë nga Skënderbeu, Tirana na u gjet pranë për fushat stërvitore, ndërsa Federata e Futbollit dhe presidenti Duka na kanë ndihmuar me udhëtimet me çarter. Nuk bëhet fjalë për aleanca, por për bashkëpunim në të mirën e futbollit tonë. Si president i Kukësit do të bëja të njëjtën gjë nëse nuk do të luanim në Kupa do ti huazoja të gjithë lojtarët për të përforcuar ekipet që na përfaqësojnë në Europë”.

Gjici nuk harroi të nënvijëzonte se bashkëpunimi nuk do të ndikojë në garën në kampionat, me Kukësin që mbetet një pretendent për titullin, përkrah Skënderbeut dhe Partizanit. Për të realizuar këtë ambicie, skuadra do të ruajë bazën e lojtarëve, por edhe do të përforcohet, ku derën të hapur e ka edhe Pero Pejiç.

“Nuk jemi rivalë apo armiq. Me Skënderbeun, Partizanin apo edhe Tiranën jemi konkurrentë për titullin. Edhe këtë vit do të synojmë të jemi në garë, pasi kemi një skuadër cilësore. Asnjë nga lojtarët nuk largohet, as Emini për të cilin është spekuluar. Përkundrazi ne do ta përforcojmë ekipin në disa role, kryesisht në mesfushë, për të patur alternativa dhe konkurrencë. Pero Pejiç te Kukësi? Nuk ka patur biseda. Ai e ka numrin tim dhe nëse dëshiron të kthehet mund të vijë të më takojë”.

Në fund edhe një batutë për stafin teknik, të drejtuar nga Hasan Lika dhe pikëpyetjet nëse drejtori teknik do të vazhdojë edhe punën si trajner.

“Stafi, me në krye Likën dhe asistentët e tij ka punuar mjaft mirë dhe jemi të kënaqur. Mund të them se nëse e kalon edhe Austrinë e Vjenës dhe na kualifikon në turin e tretë, Hasan Lika e ka blinduar postin e trajnerit”.

/Supersport.al

S'KA KOMENTE

Comments are closed.