Gjici: Kampionati sapo ka filluar, në janar do kthehemi në merkato

0
SHPËRNDAJE

safet-gjiciPresidenti i Kukësit, Safet Gjici, pas ndeshjes me Vllazninë, në prononcimin për SuperSport, dhënë gazetarit Erald Kodheli, u shpreh se kampionati sapo ka filluar dhe theksoi se në janar do ketë blerje të tjera.

“Fitorja dhe vendi i parë? Kjo është kënaqësi që jemi në vend të parë, por nuk ka mbaruar asgjë, kampionati sapo ka filluar. Stafi dhe lojtarët nuk duhet të kalojë në eufori, duhet t’i marrim ndeshjet një nga një. Ekipet nuk kanë diferenca të mëdha me njëri-tjetrin. Vendi i parë na kënaq, edhe stafi është më i qetë për të përgatitur ndeshjet e radhës të cilat do të jenë të vështira, si Teuta që duhet vlerësuar”.

“Kampionati? Besoj te stafi dhe grupi i lojtarëve, natyrisht do bëjmë ca ndërhyrje të domosdoshme në janar që i kërkon trajneri Gjoka. Unë do i plotësoj të gjitha, pastaj topin e kanë ata. Duhet vlerësuar çdo ndeshje, pasi është kampionat shumë i gjatë. Skënderbeu ishte shkëputur 9 pikë larg dhe ja ku jemi tani. Jemi më të qetë dhe jemi në vendin e parë, besoj se nuk ka presion të krijuar nga ne. Presioni vinte nga mungesa e pikëve dhe ndoshta nga lojëra jo të mira që zhvilluam. Por ky kampionat është i tillë, duhen pikët dhe jemi të kënaqur që jemi në vend të parë”.

“Trysnia mbi ekipin? Presioni krijohet vetvetiu nga mungesa e pikëve, ne jemi nën presion vetë, nga unë i pari e deri te lojtarët nga mungesa e pikëve. Objektivi që i kemi vënë vetes për titullin të fut në presion. Por kemi shumë javë dhe shumë ndeshje përpara, duhet të jemi me këmbë në tokë që të arrijmë të fitojmë titullin kampion. Vendi i parë? E kemi provuar presionin e vendit të parë para dy vitesh kur ishim ’Kampionë Dimri’”.

“Loja e Kukësit? Fakti që nuk kemi humbur do të thotë që jemi mirë, por a jemi shumë mirë? Këtë do e tregojë koha. Shumë mirë do të jemi kur të marrim titullin kampion. Edhe unë i bëj kërkesa të herëpashershme stafit e lojtarëve për të bërë punën edhe më mirë. Fakti që nuk kemi humbur do të thotë se stafi e lojtarët ka bërë punën e vet. Kemi pasur mungesa dhe na u dëmtuan mbrojtës. Gjoka kishte probleme në prapavijë në këtë sezon. Jemi të kënaqur, por kërkojmë më shumë për të arritur objektivin që është titulli. Ky është viti i katërt që e kërkojmë, se trofetë e tjerë i kemi marrë, vetëm ky na ka ngelur. Duhet punë, sepse kampionati sapo ka filluar”.

“Rivaliteti me Skënderbeun? Me presidentin Ardian Takaj formojmë një dyshe të shkëlqyer. Kishte konkurrencë edhe pse në fund fitonte presidenti i Skënderbeut. Por këtë radhë kanë ndryshuar rolet dhe shpresoj të jetë deri në fund. Skuadra e Skënderbeut, pavarësisht luhatjeve duhet marrë si konkurrent i rëndësishëm, si Partizani apo Tirana. Të gjitha skuadrat të hapin probleme. Kampionati ka bukuri me katër ekipe që luftojnë për titull. Do i vlerësojmë rivalët tonë deri në fund”.

“Mungesa e fitoreve në transfertë? Që nuk kemi fituar në transfertë nuk është pozitive, por fakti që jemi në vend të parë tregon që jemi në rrugën e duhur. Do të bëjmë çfarë është e mundur që të fitojmë edhe në transfertë. Ndaj Durrësit është e vështirë, por duam të dalim me fitore nga ajo sfidë”,-mbylli prononcimin e tij, presidenti i Kukësit, Safet Gjici. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.