Gjimshiti: Jemi në gjendje të vështirë, por do t’ia dalim

0
SHPËRNDAJE
loading...

Më 12 nëntor shkaktoi penalltinë e parë të Izraelit dhe u largua nga fusha me karton të kuq. Nga mbetja jashtë Europianit dhe deri në momentin e vështirë të Kombëtares, Berat Gjimshiti ka kaluar disa çaste të vështira. Mbrojtësi nga Lugina e Preshëvës beson të rikthimi nga momenti i vështirë dhe ka formulën për t’ia dalë.

“Mendoj që kam pasur disa momente që nuk kam qenë mirë psikologjikisht, por ky nuk është problem pasi i ndodh çdo lojtari. Gjithmonë duhet të jesh gati psikologjikisht edhe për momentet jo të mira.

Jemi në gjendje pak të vështirë, por besoj se do t’ia dalim si skuadër.

Momenti negativ? Në këto momente duhet të dimë atë që kemi arritur, të jemi të vetëdijshëm për forcat dhe kualitetin dhe t’i tregojmë në fushë. Të gjithë lojtarët në Kombëtare kanë cilësi dhe duhet t’i luajmë këto ndeshje me vetëbesim. Kështu do të bëjmë edhe ndaj Izraelit.

Shija e keqe në ndeshjen e parë me Izraelin? E bukura e futbollit është se në çdo moment ke një rast të dytë. Duhet të tregosh se nuk je ai që bëri atë gabim dhe ta korrigjosh.

Në çdo ndeshje kur hyj nuk mendoj shumë për atë që ka ndodhur, por jam i përqendruar te përballja e radhës. Ta përgatisim sa më mirë dhe të jemi gati.”

Titullar në fushë në humbjen e papritur në Luksemburg, Gjimshiti nuk beson se problemi i Kombëtares është skema me tre mbrojtës, por duhen korrigjuar gabimet individuale.

“Me tre mbrojtës? Eshtë një skemë që më përshtatet, pasi kam luajtur te Zurich dhe më pas te Avellino. Kam pak kohë që nuk kam luajtur, pas ndryshimit të trajnerit te Avellino.

Të gjitha skuadrat e mëdha po luajnë të gjitha me tre mbrojtës, kryesisht në Itali.

Pësimi i të paktën dy golave në ndeshje me këtë skemë? Nuk mendoj se është problem i taktikës, por çështje individuale, sepse na ka munguar përqendrimi. Duhet t’i evitojmë gabimet individuale.”

Sfida me Izraelin cilësohet si finalja e sezonit, për të synuar ende arritjen e vendit të tretë në kualifikuese.

“Përqendrim përpara Izraelit, a është finalja e sezonit dhe mundësi ringjallje? Mendoj që në Izrael do të shkojmë për ta fituar ndeshjen dhe për t’iu afruar rivalëve në klasifikim për vendin e tretë. Ky është objektivi ynë. Izraeli nuk është më i mirë se ne. Duhet të jemi bashkë, të japim maksimumin dhe të marrim rezultat në këtë ndeshje.”

Përsa i takon karrierës në klube, sipas mbrojtësit 24-vjeçar është ende herët për të folur për qëndrimin te Atalanta në Serinë A, apo huazimin në një tjetër skuadër.

“Sezoni me Avellino, kthim te Atalanta? Kam qenë një vit i huazuar. Mund të them se më shkoi shumë mirë.

Kam luajtur shumë ndeshje aty dhe arritëm objektivin për të mos rënë nga kategoria. Me Atalantën kam edhe një vit kontratë.

Nuk e di çfarë do të ndodhë, duhet të presim”,-mbylli prononcimin e tij, mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Berat Gjimshiti. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU