Gjoka: E dinim vështirësinë e kësaj ndeshje, por duhej të fitonim me patjetër

0
SHPËRNDAJE

Trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka, pranon se sa më shumë afrohet fundi i kampionati, aq më e vështirë bëhet menaxhimi i ndeshjeve nga skuadra e tij. Në prononcimin për SuperSport, ai deklaroi se ishte plotësisht dakord me trajnerin e Partizanit Sulejman Starova që thoshte se skuadrave tashmë po u dridhen këmbët në çdo sfidë.

“E dinim vështirësinë e kësaj ndeshje, Laçi ka ardhur gjithmonë këtu dhe ka kërkuar maksimumin por mbi të gjitha, ne këtë ndeshje ne duhej të fitonim me patjetër, Laçi donte të merrte diçka me patjetër për vendin ku ndodhej. Këto janë vështirësitë që e bëjnë garën më të vështirë edhe psikologjikisht”.

“Sigurisht që pozicioni ku jemi nuk na lejon asnjë hap fals, trajneri i Partizanit Starova ka të drejtë kur thotë që në çdo moment na dridhen këmbët se ne duam në çdo ndeshje të marrim maksimumin. Në pozicionin ku jemi nuk na lejohet asnjë gabim.

Ju e shihni që bëjmë gol, një gabim në mbrojtje dhe pësojmë barazimin, shënojmë përsëri dhe futemi në stres, nuk jemi të qetë për ta mbyllur ndeshjen dhe menaxhuar si duhet. Këto janë vështirësitë e kampionatit dhe garës”.

“Unë mendoj që përveç gabimit të golit, qendra ishte mirë, rasti i mesfushorit Nika ishte në të majtën. Duhet të jemi më të qetë, e drejtë. Ndërkohë që janë ndeshje që kanë presionin dhe nxitim brenda, më se normale, e rëndësishme është të korrigjohemi, të mos gabojmë më”.

“Unë mendoj që në një lojë futbolli ka situata të ndryshme, edhe mund të dalë Laçi para portës. Ndërkohë që jo shumë herë ishim të ç’ekuilibruar dhe rasti kur Laçi doli i vetëm ishte mosruajtja e gjakftohtësisë nga një goditje këndi. Skuadra e Kukësit ka qenë në ekuilibër gjatë gjithë kampionatit, por ka momente kur gabojmë, nuk jemi perfekt”.

“Unë mendoj se ndeshja e javës që vjen ndaj Partizanit është deçizive por jo përfundimtare se ka edhe katër të tjera, por gjithsesi është me një rival direkt. Ne do kënaqemi që të shkojmë dhe të marrim maksimumin, në një ndeshje mes dy pretendentëve, dy ekipeve që kanë bërë mirë gjatë të gjithë kampionatit. Pastaj ndeshja do të tregojë se kush gabon më pak do të meritojë barazimin apo fitoren”.

“Unë jam dakord të ketë çdo lloj gjyqtarie dhe ndeshja të mbahet me përgjegjësi. Ndërkohë që nuk jemi ne që përcaktojmë, është një institucion mbi kokë, pra FSHF që jep verdiktin”.

“Nuk mendoj se matet me përqindje diferencat me Partizanin. Mendoj se matet me atë që jep në fushë atë ditë, çdo ndeshje ka interpretim ndryshe, motivim ndryshe, përgatitje psikologjike ndryshe. Kush do t’i ketë më të mira këto parametra, ai do të ketë përqindjen më të lartë”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.