Gjoka: Fitore e madhe, Vllaznia do të jetë dinjitoze deri në fund

0
SHPËRNDAJE
loading...

Trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka, e ka cilësuar një fitore shumë të rëndësishme për luftën e titullit atë të siguruar ndaj Teutës. Në prononcimin për SuperSport ai deklaroi se shpresonte që Vllaznia të vazhdonte të paraqitej në mënyrë dinjitoze edhe në vijim të sezonit, por ndërkohë e pranoi se do të ishte e vështirë që ndokush të ndjehej i qetë deri në mbyllje të sezonit.

“Ishte një fitore e madhe në këtë moment të kampionatit dhe në këtë gjendje që duhej të kalonim këtë ndeshje, duke pasur parasysh hapin fals që u bë më përpara. Ne sot nuk kishim asnjë alternativë tjetër ndaj sot ka qenë një fitore shumë e madhe. Sot fitoren e bënë futbollistët, e interpretuan ndeshjen, e interpretuan lojën me pjekuri dhe fitorja i dedikohet atyre”.

“Ndeshje të mira kemi bërë vazhdimisht por sot falënderoj futbollistët e mi të cilët u treguan shumë të qetë dhe e përgatitën ndeshjen siç duhet nga ana profesionale, me qetësi dhe të gatshëm për ta goditur kundërshtarin në momentet e duhura”.

“Pjesa e parë nuk ishte e lehtë, filloi një ndeshje shumë e kujdesshme nga ne dhe kundërshtari i cili linte para vetëm sulmuesin Magani. Meqë rrinin mbrapa me shumë lojtarë, e kishim të vështirë për t’i çarë. I kërkuam lojtarëve që në pjesën e dytë, në fazën sulmuese të ishin më të shpejtë ndërsa Teuta filloi të dilte më para. Prandaj gjetëm hapësirat në pjesën e dytë”.

“Nuk di të them, se nuk mund të parashikoj gjëra. Ndërkohë që di të them që Vllaznia është një nga skuadrat e elitës të futbollit shqiptar, me histori të jashtëzakonshme dhe besoj se do të jetë dinjitoze deri në fund”.

“Ky kampionat është shumë i fortë, është një kampionat që do të na japë qetësi vetëm në fund të fazës së katërt nëse do të arrijmë objektivin tonë madhor. Prandaj mos na kërkoni qetësi pa mbaruar gara”.

“Duhet të kalojmë 24 orë që ta shikojë mjeku dhe stafi mjekësor situatën e mbrojtësit Shameti. Ai tha që kishte ndjerë kërcitje, shpresojmë që të mos jetë dëmtim shumë i madh se do të na shqetësonte”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.