Gjoka: Ishte ndeshje e fortë dhe e tensionuar, nuk paskan të mbaruar këto kate

0
SHPËRNDAJE

Trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka, nuk e fsheh kënaqësinë për barazimin e artë ndaj Partizanit, edhe pse nuk e fsheh që nuk ka përfunduar asgjë, aq më shumë që po afrohet frikshëm Skënderbeu.

“Ishte ndeshje e fortë, e tensionuar, ku na duhej rezultati. Kërkonim ta godisnim Partizanin dhe ia dolëm, por e nisëm pjesën e dytë duke pësuar gol dhe vuajtëm. Pjesa e dytë nuk kishte ajo që duhej, por gjithsesi morëm pikën që dëshironim.

“A lamë pas një rival për titull? Nuk ka mbaruar asgjë. Morëm një pikë në një fushë të vështirë, duhet të shohim edhe Skënderbeun. Mendoj se jemi në rrugën e duhur drejt qëllimit final, sepse ka momente ku loja e bukur dhe spektakli kalojnë në plan të dytë.

“Autogoli? Më erdhi shumë keq, sepse nuk dëshiroja një gabim tonin. Sapo nisi ndeshja dhe shënuam autogol, që na prishi planet. Megjithatë, është gjithçka pjesë e lojës.

“Kërkuam që topi të merrej me qetësi, të bëhej qarkullim topi dhe të tentohej goditja e Partizanit. Bëmë gabime, por këto janë ndeshje delikate, kur është titulli në lojë, prandaj tensioni është i pranishëm dhe jo gjithnjë mund të evitosh gabime.

“Kampionati është mjaft i vështirë, sapo kaluam një ndeshje të vështirë, na pret një tjetër edhe më e vështirë të mërkurën. Ngjit dhe ngjit kate, nuk paskan të mbaruar këto kate.

“A duhej luajtur një ndeshje më sulmuese, për të mos luajtur vetëm për barazim? Mendoj se është e drejtë, duhet futboll më sulmues, por kur i futesh garës rëndësi ka të fitosh, të bësh të pamundurën të mundur. Nëse tenton të shënosh shumë gola dhe sulme, lë hapësira edhe pas. Ne synojmë hap pas hapi të shkojmë drejt objektivit tonë, të gjithë janë në funksion të skuadrës, duke qenë cinikë, për të marrë rezultatet që na duhen.

“Kam një urim për vajzën time Dea, që ka ditëlindjen nesër dhe më kërkonte me çdo kusht një rezultat pozitiv sot si dhuratë”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.