Gjoka: Kukësi nuk luan për 1 pikë, do bëjmë maksimumin për një ndeshje finale

0
SHPËRNDAJE

Optimist, besimplotë dhe i vetëdijshëm për forcën e skuadrës së tij. Këtë të premte në stadiumin “Selman Stërmasi”, Kukësi luan finalen e sezonit pasi sfidon Partizanin në një ndeshje që mund të përcaktojë shumë përsa i përket fateve të titullit kampion. Verlindorët janë plotësisht gati për duelin më të rëndësishëm të javës së 32-të në kategorinë Superiore. Kukësit do t’i mjaftonte edhe një barazim për të mbajtur pas të kuqtë në renditje, por trajneri Ernest Gjoka premton se ekipi i tij nuk do të zbresë në fushë për 1 pikë.

“Mendoj që jemi gati, ashtu si kemi qenë për gjatë gjithë kampionatit gati, duke bërë maksimumin për çdo ndeshje. Edhe këtë ndeshje që është shumë e rëndësishme ndaj një rivali direkt si Partizani, por e përgatisim me shumë qetësi dhe me shumë bindje për ta kaluar me sukses.

Nuk e përgatisim ndeshjen për barazim, e përgatisim si një ndeshje finale. Në një ndeshje finale duhet me patjetër të fitosh që të arrish atë objektiv që ke. Kështu që ne e kemi vlerësuar si ndeshje finale për të arritur gjithçka”.

Nga vendgrumbullimi i skuadrës verilindore në Hotel “Eklips” në periferi të kryeqytetit, Gjoka vlerësoi Partizanin si një rival të denjë, por shtoi se Kukësi kurrsesi nuk i ka frikë të kuqtë pasi është skuadra e vetme që nuk ka pësuar humbje në këtë sezon.

“Jemi një skuadër e pathyeshme dhe kjo është meritë e të gjithë skuadrës për atë grinte dhe personalitet që ka treguar e gjithë skuadra dhe kjo na ka bërë të jemi lart moralisht. Personalisht mendoj që ne të bëjmë lojën tonë, ne të jemi të kujdesshëm, të jemi cinikë që ta bëjmë ndeshjen sa më të qartë teknikisht e taktikisht për atë që kërkojmë.

Partizani është rival i denjë, nuk është çështje individi, është çështje kolektiviteti dhe skuadre. Kam shumë respekt për Partizanin sepse duke pasur respekt për skuadrën e Partizanin ke respekt edhe për djersen dhe punën tende. Ndërkohë që ndrojtje nuk kemi”.

Deklaratave të mbrojtësit Renato Malota se Partizani është më i fortë dhe ai nuk e ka aspak frikë dyshen sulmuese të Kukësit Izair Emini-Pero Pejiç, Gjoka iu përgjigj me sportivitet, duke ia lënë gjithçka fushës së lojës.

“Nuk kam përgjigje për të. Sigurisht që çdo lojtar i jep skuadrës së tij moralin dhe forcën dhe shumë mirë ka bërë. Ndërkohë që mos harrojmë që ne jemi një skuadër që po bëjmë mirë gjatë gjithë sezonit, kemi dy sulmues si Emini dhe Pejiç. Po t’i mbledhësh bashkë, janë shumë gola. Mendoj se kemi lokomotivën më të fortë të skuadrave shqiptare sa i përket sulmit”.

Në garën për titull nuk janë vetëm Kukësi dhe Partizani por edhe Skënderbeu, trajneri kryeqytetas Gjoka u trembet kampionëve të 6 viteve të fundit edhe pse është i bindur se ky do të jetë viti i Kukësit.

“Kam shumë besim dhe e mbështes në dy pika. E para është që ekipi, e gjithë skuadra jonë, për 10 muaj kanë dhënë e sakrifikuar për këtë objektiv. E dyta është se besoj te personaliteti dhe përvoja e skuadrës, i ka të gjithë komponentët për të dalë kampion.

Skënderbeu? Eshtë në garë dhe personalisht mendoj që është i frikshëm sepse po pret me padurim të gabojë dikush nga ne për të na goditur”.

Në lidhje me gjyqtarët të cilët do të jenë të huaj, Ernest Gjoka nuk kishte asnjë koment duke shtuar se është FSHF ajo që vendos dhe Kukësi respekton zgjedhjen e saj. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.