Gjoka: Pa presion, duam titullin dhe Kupën

0
SHPËRNDAJE

gjoka-658x370Vendi i parë i siguruar në javën e 10-të, ishte vetëm një hap drejt objektivit madhor të Kukësit në këtë sezon, për të fituar për herë të parë në histori titullin kampion i Shqipërisë. Me skuadrën që tashmë i kërkohet edhe më tepër përqendrim dhe seriozitet, pasi siç e ka të qartë edhe trajneri Ernest Gjoka, tani vjen pjesa më e vështirë, tekniku i verilindorëve largon presionin e kreut nga të besuarit e tij.

“Nuk është se ndjejmë presion, sepse për aq kohë sa jemi në garë e kishim marrë parasysh që do të ishim në krye të tabelës dhe po luftonim gjatë gjithë kohës. Për momentin jemi në vendin e parë, e rëndësishme është ta mbajmë këtë pozicion, të vazhdojmë me rezultatet pozitive dhe të jemi angazhuar psikologjikisht dhe fizikisht për të kaluar hap pas hapi çdo ndeshje, kjo është e rëndësishme.”

Rikthimi në aksion, pas pauzës për ndeshjet ndërkombëtare e vendos Kukësin përballë formalizimit të kualifikimit në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Të mërkurën luhet sfida e kthimit ndaj Dinamos, me kuksianët që nisen nga avantazhi 2-0 i ndeshjes së parë.

“Në Kupë kemi vlerësim maksimal. Duam të shkojmë sa më lart dhe sa më larg. Ndaj Dinamos kemi fituar në ndeshjen e parë, por kjo nu do të thotë që nuk do ta vlerësojmë. Do të japim maksimumin, sepse ky është test edhe për lojtarët që nuk kanë orë pune maksimale. Janë teste që na bindin ne si staf për vazhdimësinë e të gjithë lojtarëve dhe do të jetë gjithçka për gjithçka.”

Më pas, vëmendja do të jetë e gjitha te kampionati, me Kukësin që në trasfertën në Durrës, do të kërkojë fitoren e parë jashtë fushe në këtë sezon, edhe pse me mungesa të shumta.

“Ndeshja me Teutën është specifike. Ne e dimë kush është Teuta, që janë një ekip simpatik, jep gjithçka dhe lufton për gjithçka në fushë. Kësaj i shtohet se rikthimi i Maganit përbën një tjetër specifikë, pasi ai është një trajner që i jep skuadrës shumë forcë dhe grintë. I kemi marrë të gjtiha këto parasysh. Po mundohemi me shumë qetësi dhe besim që të marrim rezultat pozitiv. Sigurisht që është e vështirë, por shkalla e vështirësisë tani rritet nga java në javë”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.