Gjyqi Flamurtari-FSHF, ja argumentat e vlonjatëve

0
SHPËRNDAJE
loading...

Flamurtari do të çojë këtë javë FSHF-në në gjykatë. Kuqezinjtë pritet që të dorëzojnë dosjen, ku do të kërkojnë rikthimin e pikëve. Vlonjatët mendojnë se 6 pikët e hequra padrejtësisht do të kthehen, për shkak se janë të gjitha mundësitë dhe interpretimet për këtë qëllim. Avokatët e administratorit Idrizi kanë gati të gjithë dosjen përkatëse, me të gjitha të dhënat, ndërsa i mëshojnë edhe faktit se pikët janë hequr nga FSHF dhe jo nga UEFA.


Flamurtari / Ata e argumentojnë të drejtën për kthimin e pikëve, me faktin se nuk kemi të bëjmë me një shkelje të rëndë sportive, por bëhet fjalë për detyrime, të cilat janë financiare dhe që nuk kanë dëmtuar asnjë palë. Përkundrazi, pagesat janë kryer ndaj ish-lojtarëve apo ish-trajnerëve dhe penalizimi me heqjen e 6 pikëve është i patolerueshëm dhe që prish garën, si dhe cenon ligjin në drejtim të raportit që klubet duhet të kenë me të.

Në dosje jepen me fakte detaje dhe shkresa konkrete që detyrimet janë shlyer dhe se pikët duhet që të kthehen, pasi nuk ka asnjë shkelje të disiplinës sportive.

Idrizi

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, konfirmon faktin se këto ditë, dosja me kërkesën për kthimin e pikëve do të dorëzohet në Gjykatën e Tiranës. Sipas Idrizit, duhet që FSHF të hedhë hapa të rëndësishëm në zbatimin e ligjit. Për Idrizin, në qeverinë e futbollit nuk ka vetëm njerëz fluturakë, por edhe me këmbë në tokë.

“Ne nuk akuzojmë nëpërmjet kësaj dosje. Pra, dosja jonë nuk ka akuza, ne kërkojmë vetëm kthimin e pikëve. Ajo që ne duam, është që Gjykata Civile të na zgjidhë këtë ngërç. Ne duam të dimë se si duhet zgjidhur ky ngërç. Kemi pasur një letërkëmbim me zotërinjtë e FSHF-së, ku ne kërkojmë që të marrin përsipër obligimet që ata kanë.

Drejtuesit e FSHF-së nuk duhet të favorizojnë ilegalitetin në sport. Më datë 15 mars është një asamble e FSHF-së, ku do të hidhen hapat e rëndësishëm për shkak se aty do të ketë edhe të huaj. Në federatë ka njerëz me këmbë në tokë dhe jo fluturakë. Ne kërkojmë 6 pikët tona. Duhet që ta ndajmë, do të bëjmë pazare apo do të jemi të ndershëm.

Në këto kushte, FSHF duhet të ndajë nëse do të vazhdojë ilegalitetin apo jo. Grupi ynë i avokatëve do të dorëzojë këto ditë në Gjykatën Civile të Tiranës dosjen ku ne kërkojmë pikët. Nuk janë pikë që ne duam t’i marrim nga të tjerët, janë pikët tona. Për çfarë na janë hequr? Për shkak se ne nuk duam ilegalitetin? Për shkak se ne duam të jemi të rregullt me detyrimet që duhet të paguhen në shtet nga të gjitha klubet”, u shpreh Idrizi.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.