Gjyqtari Jorgji: Kalari e meritoi të kuqen, gjyqtarët nuk korruptohen

0
SHPËRNDAJE

jorgjiNdonëse përgjithësisht gjyqtarët nuk prononcohen pas ndeshjeve për vendimet e tyre, trysnia e madhe e krijuar e ka shtyrë Enea Jorgjin të hapet dhe të flasë për Supersport mbi atë cka ndodhi në Elbasan Arena në sfidën mes Skënderbeut dhe Partizanit.

“Kartoni i kuq për Kalarin është plotësisht i justifikuar, pasi bëhet fjalë për një ndërhyrje me intensitet, shpejtësi, me taka të ngritura në kërcinjtë e kundërshtarit dhe asnjë përpjekje nga ana e tij për ta shmangur. Nuk luan fare me topin dhe vë në rrezik shëndetin e kundërshtarit. Kam qenë i bindur si dje, ashtu edhe sot që kemi qetësinë për ta parë nëpërmjet ekranit këtë ndërhyrje. Po jua rikonfirmoj me fjalë, jo më me kartonin tim të kuq, që ky është një karton i kuq mëse i merituar për Renato Kalarin”, u shpreh Jorgji në prononcimin e tij.

Më tej Jorgji ka justifikuar vendimet e tij në lidhje me ndërhyrjet Trashi-Vangjeli dhe Torassa-Latifi, si dhe ka folur mbi të kuqen për Vangjelin.

“Kemi një tentativë të Trashit për t’u vënë në kontroll të topit, por në pamundësi për ta bërë këtë, ai kryen një kontakt dhe pengon Kristi Vangjelin. Por nëse e rishikojmë me kujdes këtë ndërhyrje, vërejmë që, përkundër një intensiteti të moderuar të lëvizjes, Trashi kontaktin me Vangjelin e ka me një pjesë të trupit e cila kurrsesi nuk vë në rrezik shëndetin e Vangjelit. Pra, ka specifika të veçanta”.

“Ndërhyrje me intensitet të moderuar, por duhet të themi që përdorimi i pjesës së këmbëve të Torasës nuk ishte si ai i Kalarit, sepse Torasa prek topin dhe në kërcimin e tij më pas kryen kontakt te kërcinjtë e Latifit. Për këtë kam menduar të mos e jap karton të verdhë, duke marrë parasysh edhe faktin që Partizani ishte penalizuar para dy minutash me një karton të kuq dhe për ta konsideruar si në kufijtë e një loje të lejuar, duke mos marrë asnjë masë ndëshkimore. Por, paçka se dhashë gjithë këtë shpjegim, nuk mund të mohoj se ky rast është karton i verdhë”.

“Ndërhyrje jo e qëllimshme, pasi ai kërkon të luajë topin me kokë, edhe pse në një pozicion jonormal. Në pamundësi për ta bërë këtë, ai pengon Torasën. Duke qenë se Vangjeli e kishte një karton të verdhë, sipas rregullave të futbollit dhe atyre që ne ndjekim si arbitra, e kemi rreptësisht të ndaluar të japim avantazhe të tilla, përjashtuar rastet kur kemi të bëjmë me një mundësi shënimi të pastër. Në rastin konkret nuk kishim të bënim me një mundësi shënimi të pastër, ndaj duhej akorduar patjetër faull dhe kartoni i dytë për Vangjelin”.

Në fund Enea Jorgji preku edhe temën e nxehtë të korruptimit të gjyqtarëve për të cilën tha:

“Kam qenë dhe jam i mendimit që gjyqtarët nuk korruptohen, por ka persona të cilët përpiqen t’i bëjnë për vete këta gjyqtarë, ndoshta dhe duke u ofruar diçka. Mendoj se ka ndryshim midis korruptimit të gjyqtarit dhe përpjekjes për të bërë diçka në pamundësi për të bërë punën tonë. Këto kanë qenë kohë të largëta, tani nuk e kam më këtë ndjesi për sjellje të tilla të presidentëve.

Mua m’u bënë goxha vite që drejtoj në Superiore dhe më duhet të them se vetëm vitin e parë dhe deri diku edhe të dytin kam pasur të tilla telefonata direkte. Edhe më kanë ofruar, por synimet kanë qenë të tjera, jo për përfitime që nuk më takojnë. Tani nuk e ndiej më këtë lloj sikleti”

“Gabime ndodhin, sepse e tillë është puna jonë. Nuk mund të them tani që unë kam gabuar dhe nuk do ta bëj më. Unë nuk kam tentuar ndonjëherë të kem marrëdhënie me presidentët, e as ata me mua. Por nëse unë e shfaq marrëdhënien time në lojën e futbollit duke u dhënë atyre maksimumin tim dhe atë që meritojnë, edhe ata herë pas here, për mirë apo për keq, e shfaqin në intervistat e tyre nëpër emisione televizive e kudo”.

 

 

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.