Hamdi Salihi mban pezull Skënderbeun

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Hamdi Salihi nuk është bashkur me ekipin e Skënderbeut as në seancën e djeshme stërvitore. Sulmuesi ka vijuar i diferencuar punën për rikuperimin pas dëmtimit të pësuar në miqësoren kundër Kombëtares Shpresa 10 ditë më parë.

Ai nuk e ka ndjerë veten gati për të bërë stërvitje me grupin dhe kjo gjë e ka vendosur në merak stafin teknik, teksa sigurisht një gjë e tillë ka prishur disi humorin e trajnerit Ilir Daja, i cili është në ankth për sa i përket gjendjes së sulmuesit kryesor. Pritet që në ditët në vijim Salihi të testojë edhe një herë nëse e ka lënë pas dëmtimin, duke u munduar të hyjë në punë me grupin.

Por, derisa gjendja e tij të konfirmohet mirë nga stafi mjekësor, trajneri Daja do të jetë i shqetësuar për vijën e parë të sulmit, po të kemi parasysh faktin se sulmuesi belg Ogunjimi nuk mund të luajë menjëherë sapo të mbërrijë. Edhe pse jemi në tri ditët e fundit të përgatitjeve për ndeshjen e radhës që do të luhet të hënën ndaj Korabit, sërish Salihi mbetet në dyshim të madh, nëse do ia dalë të rikuperohet në kohë për këtë takim apo do të jetë mungesa e radhës, teksa vetëm një mrekulli mund të bëjë që ai të luajë.

Nga sa bëjnë me dije burime të sigurta të minuta90.com, trajneri Daja duhet t’i bëjë llogaritë pa shkodranin, teksa më pas gjendja e tij do të shikohet gradualisht. Përpara disa ditësh u tha se Hamdi Salihi do të bashkohej dje në stërvitje, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Atëherë, nëse konfirmohet zyrtarisht se Salihi nuk ia del, kjo do të shtonte problemet e trajnerit bardhekuq, që për këtë takim duhet të bëjë edhe pa shërbimet e mesfushorit Liridon Latifi. Ky i fundit është i padisponueshëm për shkak se ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.

Një tjetër lojtar që shqetëson me formën e tij fizike është Bakary Nimaga. Edhe mesfushori është në dyshim për sfidën me Korabin.

Duke shtuar mungesat e mesfushorëve Nimaga dhe Latifi, tashmë trajneri Ilir Daja është i detyruar të bëjë ndryshime në formacion. Nga sa mësojnë burime të sigurta të minuta90.com, pritet që titullarë në sulm të jenë Plaku dhe Adeniyi. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.