Hasani: Nuk ka pasur asnjë bisedë me drejtuesit e Vllaznisë, por dëshira është maksimale

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Edon Hasani mund të rikthehet te Vllaznia. Mesfushori shkodran është emri i parë në listën e dëshirave të drejtuesve kuqeblu.

Këta të fundit duan të nisin punën sa më shpejt për rindërtimin e ekipit, në mënyrë që të mos përsëritet e njëjta situatë si e këtij sezoni, kur shkodranët e siguruan mbijetesën vetëm në javën e fundit kundër Tiranës. Burime brenda klubit, por edhe pranë lojtarit konfirmojnë për minuta90.com se mes palëve nuk kanë nisur kontaktet akoma, por mesfushori Hasani në një komunikim me minuta90.com nuk e fsheh dëshirën që ka për të luajtur për Vllazninë.

“Momentalisht, jam një lojtar pa ekip, pasi kam ndërprerë, siç dihet prej kohësh, bashkëpunimin tim me ekipin e Kukësit. Lajmi që ka qarkulluar sot për një kontakt mes meje dhe drejtuesve të Vllaznisë nuk është i vërtetë.

Pavarësisht dëshirës së drejtuesve të Vllaznisë për të më pasur në skuadër, dua të them se nuk ka pasur asnjë bisedë me asnjë nga drejtuesit e Vllaznisë. Kam oferta nga ekipe të ndryshme dhe në ditët e ardhshme do të shoh se çfarë do të vendos për të ardhmen time”.

Ndërkohë që, dëshirën e ka për t’u rikthyer tek Vllaznia, edhe pse më parë kërkon të dijë planet që ka ekipi shkodran për sezonin e ri.

“Normalisht që si një shkodran që jam dhe si një lojtar i formuar tek Vllaznia, që është ekipi i zemrës, dëshira është maksimale të kthehem tek Vllaznia në qoftëse biem dakort me mirëkuptimin dy-palësh për të arritur akordin. Ndërkohë që, më parë duhet ditur planet që ka Vllaznia për sezonin e ardhshëm ku duhet formuar një ekip për të pasur vazhdimësi në Kampionatin Shqiptar që të tentohen Kupat e Europës ose dalja kampion i Shqipërisë”,-thekson Hasani.

Edon Hasani është një lojtar që ka dalë nga ekipet e moshave të Vllaznisë, ndërkohë që sezonin që sapo u mbyll ka qenë pjesë e Kukësit, edhe pse nuk ishte pjesë e këtij ekipi deri në fund të sezonit, për shkak të problemeve që pati me drejtuesit verilindorë, duke mos arritur të ishte pjesë e ekipit që ngriti trofeun, edhe pse dha kontribut në këtë sukses. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.