Haxhiu: Luajtëm shumë mirë, Luftëtari ka kualitete të mëdha

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Trajneri i Korabit, Gerdi Haxhiu, pas ndeshjes me Luftëtarin, në prononcimin për SuperSport, dhënë gazetarit Erald Kodheli, u shpreh se ekipi i tij luajti shumë mirë, ndërsa theksoi se gjirokastritët kanë kualitete të mëdha.

“E kishim përgatitur mirë ndeshjen, luajtëm shumë mirë në pjesën e parë, kundër një rivali që ka shumë kualitete. Krijuam pak raste, por menaxhuam mirë lojën, ndërsa në pjesën e dytë patëm shansin e artë për të shënuar me 11-metërsh.

Aty skuadra u godit psikologjikisht, ndërsa pak minuta pas penalltisë së humbur erdhën golat e Luftëtarit. Për fat të keq, edhe kur fitojmë një penallti, e humbasim, ndaj është fati i keq që na ndjek prej kohësh.

Nuk ka asnjë problem që e humbi Ardit Hoxhaj, ai ka gjuajtur edhe gjatë javës në stërvitje, edhe faullet ai duhet t’i gjuajë. Më vjen keq për Arditin dhe për skuadrën, ishte një ndeshje shumë e mirë, më e mira që kemi luajtur në transfertë.

“Renditja? Ne do të vazhdojmë të luajmë. Ne luajmë mirë, nuk jemi një skuadër e dorëzuar.

Edhe sot luajtëm shumë mirë, mundësitë i patëm për të marrë rezultat, do të vazhdojmë të japim më të mirën.

“Pësimi i golit? Pas penalltisë skuadra jonë u demoralizua, por nuk kam asnjë pishman dhe nuk i vendos gishtin askujt. Kur humbet një penallti në Gjirokastër, në situatën që jemi ne në renditje, është normale që të ndihesh keq moralisht.

Pastaj golat erdhën shumë shpejt dhe nuk patëm as kohën të reagonim, ndaj nuk ka një repart apo lojtar që gaboi, ishte më shumë një tronditje psikologjike”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Korabit, Gerdi Haxhiu. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.