Haxhiu: Mbaj përgjegjësitë te dy golat, mungon finalizimi

0
SHPËRNDAJE

Trajneri i Korabit, Gerdi Haxhiu, ka marrë mbi vete përgjegjësitë për humbjen e sotme duke deklaruar se strategjia e zgjedhur në fillim të ndeshjes mund të kishte ndikuar te skuadra. Në prononcimin për SuperSport dhënë gazetarit Egi Duro, tha se duke luajtur të tërhequr, u dhanë mundësinë Laçit të shënonin dhe ndeshja mund të kishte një rrjedhë tjetër me një interpretim ndryshe të lojës.

“Mbaj përgjegjësitë te dy golat. Duke menduar që aktivizohej një i ri si Endrit Prençi, i cili e nisi sezonin si portieri i katërt, mendova ta prisnim Laçin poshtë. Mbaj përgjegjësitë e mia se ndoshta ishte strategji e gabuar.

Pastaj ndryshuam plotësisht në vendosje, krijuam, ndërtuam, ishim në qarkullim të topit por mungon finalizimi, lojtari që të zgjidh ndeshjen. Do të thosha që ishte një paraqitje e mirë e skuadrës pas asaj humbjeje të thellë ndaj Flamurtarit”.

“Ishte një detyrë që i ishte dhënë skuadrës për të mos marrë kartonë, se e dinim rëndësinë e ndeshjes për kundërshtarin dhe ndoshta do të kishte trysni dhe mund të kalohej limiti. Ndërkohë që kontingjentin e kemi të limituar, me penalizimin për ndeshjet e tjera, bëhet më e vështirë gara”.

“Flasim çdo ditë me djemtë dhe i kemi thënë që të stërviten, të luajnë për veten e tyre që kur të mbarojë sezoni të gjejnë një skuadër, apo u vjen ndonjë ofertë nga Korabi në Kategorinë e Parë nëse do të bëhet një skuadër me objektivin për t’u ngjitur”.

“Unë marr përgjegjësitë se ishte zgjedhje e imja. Nuk dua të bëj tipin që në këtë situatë do ta kishte të lehtë, por e patë kur u ngritëm e ndryshuam vendosje, ndoshta do të kishim rezultat tjetër. Fakti që pësuam dy gola, fakti që ishim të përgatitur t’i pritnim të tërhequr, ndoshta është përgjegjësi e imja”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Korabit, Gerdi Haxhiu. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU