Haxhiu: Nuk donim ta linim sulmuesin Plaku të largohej, komplimentoj djemtë për lojën

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Trajneri i Korabit, Gerdi Haxhiu, pas ndeshjes me Partizanin në prononcimin për SuperSport, dhënë gazetarit Sokol Xhihani pas humbjes 2-0 ndaj Partizanit, u ndal te problemet e klubit më shumë sesa te analiza e ndeshjes.

Ai zbuloi edhe një prapaskenë nga merkatoja e janarit, ku dibranët i kërkuan Skënderbeut katër futbollistë në këmbim të sulmuesit Sebino Plaku.

“Eshtë keqinterpretuar deklarata ime pas ndeshjes me Kukësin që lojtarët duhet të luajnë për t’u argëtuar. Ideja është që futbollistët nuk kanë presion, janë të rinj, kanë mundësinë e jetës të shprehen dhe të japin më të mirën.

Sot bëmë disa ndryshime taktike nga ndeshja ndaj Kukësit, me synimin për të mos pësuar. Hoxhaj dhe Denis Peposhi ishin me probleme shëndeti, prandaj u detyruam të luanim titullar një 20-vjeçar si Paulo Ivani.

Rezistuam deri tek autogoli, më pas pësuam një ‘blackout’. Në pjesën e dytë u përpoqëm të reagojmë, por ata që e njohin futbollin e kuptojnë që është situatë shumë e vështirë”.

“Pres diçka më shumë nga lojtarë të veçantë. Nuk dua të bëj viktimën, por problemet tona dihen tashmë.

I përgëzoj futbollistët pasi po sakrifikojnë, po ashtu edhe administratorin Fehmi Mëziu, i cili po e mban ekipin me shpenzimet e veta”.

“Unë etiketohem si trajner rrethesh, por nuk e kam luksin të marr një ekip nga fillimi i sezonit për të bërë përzgjedhjen dhe përgatitjen e lojtarëve. Në këto kushte, e marr përsipër rrezikun dhe pasojat me ndërgjegje të plotë.

Nuk mund të pres për një mundësi që mund të mos vijë kurrë. Cilësohem si trajner i tillë, edhe pse mund të më gënjejë mendja që vlej diçka më tepër”.

“Pasi firmosa, garant doli një biznesmen dibran dashamirës, me të cilin kam një marrëdhënie personale sa i takon rrogës sime. Pas disa ditësh marr vesh se janë larguar donatorët.

Patëm disa rezultate të mira në fushë dhe shpresuam se mund të bënim diçka të mirë në janar. Bashkia e Dibrës dha një fond prej 70 mijë eurosh, me të cilin u shlyen dy muaj rroga.

Në këto kushte mbetëm me tetë milionë lekë të vjetra, me të cilat afruam mbrojtësin Shabani, mesfushorin Arifaj dhe sulmuesin Ivani. Nuk donim ta linim sulmuesin Sebino Plaku, për të cilin i kërkuam Skënderbeut katër lojtarë në këmbim: mbrojtësin Idrizaj, mesfushorët Mustafa, Malaj dhe sulmuesin Adeniyi ia kërkuam Skënderbeut për sulmuesin Plaku, të cilin nuk donim ta linim”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Korabit, Gerdi Haxhiu. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.