Historia e Adës së Velipojës para se të shndërrohej në Vllazni e Shkodrës

0
SHPËRNDAJE
Loading...

* Shkëputur dhe i publikuar eskluzivisht nga Minuta90.com pa ndryshime nga libri i pabotuar “Fubolli Femëror Shqiptar” i autorit Florent Hoxha. 

2007-2013

Është pa dyshim klubi më i suksesshëm në historinë e futbollit të femrave në Shqipëri me tre tituj kampion dhe një kupë kombëtare fituar në vetëm katër vjet! Hiq edicionin e parë 2009-10 që u dominua nga vajzat e Tirana AS (Ada nuk mundi të marrë pjesë atë vit), edicionet e tjera kanë patur për protagoniste absolute vetëm Adën e Velipojës. E vetmja që ja ka cënuar vazhdimisht dominimin ka qënë Juban Danja, e megjithatë as ajo nuk ja ka arritur.

Historia e klubit Ada nisi më 6 mars 1996 kur të apasionuarit Lazër Matia dhe Alfred Pjetri bashkë me Prend Përndrecën, Filip Kërcungën dhe Marash Qytetzën krijuan në Velipojën e bukur një ekip futbolli. E quajtën Ada, në kujtim të ishullit të vogël me të njëjtin emër që gjendet në Adriatik, mu në ndarjen kufitare Shqipëri-Mal i Zi, pasuri e përbashkët e dy shteteve. Ndonëse në fillim bëhej fjalë për një klub të vogël e me djelmosha të rinj, Ada u organizua seriozisht duke afruar në gjirin e vet trajnerë me emër si R. Rragami, A. Bushati, F. Paçrami, E. Rakiqi, F. Axhani, A. Medja, P. Ndoja, S. Bizi e deri te A. Cungu që sot drejton befasinë Kukësi! Dyshja themeluese e Adës, Matia dhe Pjetri ishin njëkohësisht edhe futbollistë të kësaj skuadre, ndërsa Ada arriti kulmin e vet me Pjetrin në stol duke eliminuar nga kupa e Shqipërisë Dinamon e fortë të asaj kohe. Ishte edicioni  2004-05.

Shkëndijat e para të futbollit femëror në vendin tonë zgjuan interesin e dyshes Matia-Pjetri të cilët themeluan më 9 gusht 2007 ekipin e femrave Ada të Velipojës. Veç kësaj klubi Ada kishte kohë që kishte nisur punën me akademinë e vet me lojtarë të vegjël të moshave 10 deri 19 vjeç. Ky zgjerim i veprimtarisë sportive bëri që përgjegjësinë e drejtimit të ekipit të femrave ta merrte përsipër Lazër Matia. Ndonëse ekipi egzistonte, Ada nuk mundi të konkurrojë në kampionatin e parë kombëtar që u zhvillua me sistem eliminimi e që kurorëzoi si kampione vajzat e Tirana AS pas vetëm shtatë ndeshjeve gjithsej. E megjithatë po përgatitej në heshtje një cikël i shkëlqyer që do të dominonte futbollin shqiptar të femrave për vite me radhë.

25 - Ada Velipoje 2012 leje nga klubi
Ada në prag të kampionatit kombëtar 2012-13.

Furtuna velipojake nisi në vitin 2010 me pjesëmarrjen e saj të parë zyrtare në një veprimtari kombëtare. Ishte një kampionat i fortë, ndoshta më i forti në historinë e kampionateve kombëtare, gjatë së cilit Ada e fuqizuar me disa nga lojtaret më të dalluara të rrethit të Shkodrës pati konkurrencën e Tirana AS, Kinostudios dhe Juban Danjës. Në fund ishin portierja Kokiçi me Borovën, Abazin, Shpuzën, Smajlin, Paçon, Hoxhën, Tulën, Grudën, Bajrakurtajn, Franjën, Sufajn dhe dy vajzat nga Kosova, Govori dhe Veliu të prira nga ish-futbollisti Axhani që ngritën titullin e kampionit duke mos pësuar asnjë humbje.

Pak kujt ja merrte mendja që Ada e Velipojës nuk do të thyhej as gjatë dy viteve të mëvonshme duke vendosur një rekord të jashtëzakonshëm, tre vjet pa asnjë humbje, që nga debutimi zyrtar e deri në këto çaste teksa shkruhen këto radhë. Bëjnë të tyren edhe kupën e Shqipërisë së edicionit 2010-11 duke mundur në finale Juban Danjën me rezultatin 2-0 me gola të Advije Veliut dhe Arlinda Grudës.

Edicioni pasardhës 2011-12 paraqiti një Adë edhe më të mirë që theu çdo rekord në kampionat, si për nga fitoret ashtu edhe për nga forca sulmuese. Ishte thuajse e njëjta përbërje por me ndryshimin e vetëm që drejtuesit kishin afruar në ekip disa futbolliste malazese, madje pjesëtare të ekipit të tyre kombëtar. Dominimi në kampionat dhe lojërat bindëse bënë që edhe dyshja Rraklli-Sopi të afronte në ekipin tonë Përfaqësues një numër të madh të vajzave të këtij ekipi si Kokiçin, Borovën, Smajlin, Bajrakurtajn, Berishën, Govorin, Veliun, Djegësinën, Proton, Baron. Edhe Rnković, Zlatičanin, Vujošević e Đoković ishin anëtare të kombëtares së Malit të Zi. Po kështu edhe maqedonaset Arsova e Andreevska që ju bashkuan Adës në kampionatin 2012-13 ishin pjesë e kombëtares së Maqedonisë. Në këtë mënyrë Ada u bë klubi shqiptar me më shumë lojtare që ishin anëtare të një ekipi kombëtar. Përveç kësaj vendosi edhe një rekord origjinal, atë të të pasurit në gjirin e vet futbolliste të tre kombëtareve të ndryshme: të Shqipërisë, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë. Jo pak për një histori të shkurtër.

E për habinë e të gjithëve gabon në kupë duke u eliminuar nga Kinostudio e cila dorëzohet në finale ndaj Juban Danjës. Megjithatë ngjarja më e rëndësishme sportive e vitit ngeli debutimi i Adës në Ligën e Kampioneve, hera e parë për një ekip nga Shqipëria. Ada u paraqit në këtë veprimtari me disa përforcime nga rivali i saj Juban Danja pa mundur të shmangë humbjet e thella që ja shkaktuan skuadra me histori e traditë shumë më të hershme në sportin e futbollit për femra. Gjithsesi ishte përfaqësimi i parë ndërkombëtar i një klubi nga Shqipëria dhe kjo përbënte në vetvete një ngjarje me rëndësi të madhe.

Ada e Velipojës vazhdon të ruajë një qëndrueshmëri të mirë sportive si dhe një ecuri gjithnjë në rritje. E dëshmoi këtë teksa rrëmbeu edhe titullin kampion të kampionatit 2012-13, i treti në historinë e vet si asnjë klub tjetër. Ishte një garë e vështirë gjatë së cilës pati ngacmimin më të fortë se kurrë të Juban Danjës që nga ana e vet kërkonte me ngulm titullin e pare kampion. Përvoja e paksa edhe fati e ndihmuan Adën të dalë e pamposhtur në të dy takimet ndaj Juban Danjës. Nëse në takimin e parë Govori barazoi mjeshtërisht nga goditja e dënimit, në takimin e dytë ishte Doçi që përshëndeti rrjetën pas një krosimi që shtangu të gjitha lojtaret në zonë, duke ruajtur kështu epërsinë e pikëve të cilën Ada e ruante me fanatizëm që nga java e parë e kampionatit.

Në gjysmën e dytë të këtij kampionati ulet krejt papritur në stolin e Adës Derviš Hadžiosmanović nga Mali i Zi, trajneri i cili dikur dilte kampion i Shqipërisë me Vllazninë e Shkodrës. Vite më parë Hadžiosmanović ka dalë kampion edhe me Erzenin e Shijakut në futbollin e sallës, ndonëse ky titull i kaloi më vonë Dinamos me vendim të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Kështu aventurieri Hadžiosmanović i befason të gjithë duke dalë kampion kombëtar në Shqipëri në futbollin e femrave, ndonëse çdo gjë e kishte gjetur thuajse gati nga dyshja Fatmir dhe Hava Axhani. Gjithsesi është në krye të klubit më të mirë në Shqipëri, padyshim pretenduese kryesore edhe për edicionet e ardhshme.

26 - Ada 2012-13 (leje nga Xh.Berisha)
Kampionët e Adës, nga e majta: M. Arsova, D. Hadžiosmanović, Xh. Berisha, F. Govori.

Lojtaret ndër vite: Brilanta Kokiçi, Loreta Paço, Donilda Sufaj,  Glerisa Gucia, Desara Shpuza, Advije Veliu, Megi Doçi, Jesmira Tula, Erida Bajrakurtaj, Ornela Smajli, Esmeralda Franja, Desantila Hoxha, Tina Malësia, Emirjona Nika, Greta Lazri, Uendi Muja, Gjelinë Zefi, Luçie Gjini, Fatjona Borova, Dorjana Digistani, Marsela Djegësina, Fitore Govori, Elsa Matija, Jasna Đoković, Suzana Vujošević, Jovana Zlatićanin, Natasa Rnković, Matilda Matija, Aurela Pali, Griselda Balaj, Ardiana Abazi, Arlinda Gruda, Xhemile Berisha, Ana Baro, Mirjeta Qershia, Denisa Proto, Lenche Andreevska, Milka Arsova etj.

Trajnerë: Fatmir Axhani, Derviš Hadžiosmanović, Selami Pepaj.

© minuta90.com

S'KA KOMENTE

Comments are closed.