Hysen Dedja: Lushnja pa tifozë, njësoj si të të gjejë dimri pa pallto

0
SHPËRNDAJE

Superiorja/ Pas dy ditëve të para të punës në stadiumin “Roza Haxhiu”, trajneri i Lushnjës, Hysen Dedja, në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, tha se është shumë i kënaqur nga përkushtimi i futbollistëve, si dhe ka nisur të mendojë edhe formacionin anti-Luftëtari.

“Kam vetëm dy ditë që punoj te Lushnja dhe jam shumë i kënaqur nga përkushtimi i futbollistëve, nga dëshira e tyre. Mendoj që takimi i ditës së shtunë është mjaft i fortë. Kundërshtari është rival i yni i drejtpërdrejtë dhe luajmë në fushën e tyre. Por, e shikoj në fytyrat e futbollistëve, që ata duan të japin më të mirën e tyre. Këtë e shikoj te gjithsecili, sepse janë 18 lojtarë që kanë një rivalitet. Janë njësoj dhe kanë një rivalitet që duan të fitojnë 11-en.

Mendoj që me kaq kohë që kam në dispozicion, bashkë me stafin do të mendojmë të gjejmë një formacion të përshtatshëm duke njohur edhe kundërshtarin”, deklaroi tekniku shkodran i verdhejeshilëve, Hysen Dedja.

Trajneri i Lushnjës gjeti një mënyrë të veçantë falënderimi për tifozët e pranishëm në stadium, që kishin ardhur të ndiqnin seancën stërvitore të skuadrës lushnjare. Ai tha se objektivi më i madh është rikthimi i tifozërisë lushnjare në stadiumin “Roza Haxhiu”.

“Pashë tifozë nëpër tribuna. Është një gjë shumë e mirë që unë e kam menduar me veten time. Të jetë Lushnja në stadium pa spektatorë, është sikur të të gjejë dimri pa një pallto. Nga eksperienca që kam unë këtu, kur ndeshjet ishin në orën 2, që në orën 12:30 stadiumi mbushej plot. Mendoj që me punën dhe me djersën e këtyre djemve, bashkë me mua dhe me stafin, synojmë që këtë spektator ta rikthejmë edhe një herë. Do të jetë objektivi më i madh”, u shpreh trajneri Hysen Dedja.

STËRVITJA

Trajneri i Lushnjës, Hysen Dedja, ka zhvilluar një testkontrolli me skuadrën e tij verdhejeshile. Një testim që është zhvilluar në fushën e stadiumit “Roza Haxhiu”. Takimi brenda llojit është drejtuar nga gjyqtari i Superiores, Laver Alla. Tekniku Dedja nuk ka pasur në dispozicion vetëm mesfushorin pogradecar, Hermes Shkullaku. Për “Panorama Sport”, Shkullaku tha se ka pësuar një dëmtim në seancën stërvitore të ditës së martës dhe është lënë pushim nga trajneri Dedja.

“VETERANI” ÇELA

Mesfushori “veteran” i lushnjarëve, Gentian Çela, deklaroi për gazetën “Panorama Sport” se skuadra është e përqendruar kryesisht te ndeshja me Luftëtarin.

“Nuk i prisnim ndryshimet. Ndodhën! Kush është marrë me futboll, e kupton se janë gjëra që ndodhin. Tani e kemi mendjen te pikët dhe loja e bukur. Do të vazhdojmë të bëjmë më të mirën për ekipin, për fanellën, për të marrë pikë. Luftëtari, një ndeshje delikate?! Është akoma faza e parë. Në një ndeshje rivalësh të tria rezultatet janë të mundshme, por nuk ka asgjë për t’u trembur. Do të vazhdojmë për të bërë më të mirën. Skuadra mund të dalë nga vendi i fundit”, deklaroi Çela.

“ISH”-I CANKA

Ish-sulmuesi i Luftëtarit, Mikel Canka, për “Panorama Sport” tha se shkon për të shënuar në Gjirokastër. “E pres me emocione ndeshjen. Me Luftëtarin kam fituar titullin kampion të Kategorisë së Parë. Shkoj për të shënuar në Gjirokastër. Është një ambient që luhet futboll dhe tifozëria është për t’u marrë shembull. Duhet të bëjmë kujdes kundërsulmin e tyre dhe ata janë një ekip që e praktikojnë shumë mirë lojën nga krahët”, deklaroi sulmuesi Canka.

Lushnja feston golin

S'KA KOMENTE

Comments are closed.