I shënoi Korabit, Çelhaka zbulon premtimin

0
SHPËRNDAJE

14572866_1117224391646590_4662293229694151254_n

Alked Çelhaka, mesfushori i Laçit, shënoi golin që i dha fitoren e parë kurbinasve në shtëpi. Futbollisti ka dhënë një prononcim, ku fillimisht flet për ndeshjen me Korabin, në të vilën bardhezinjtë bënë detyrën pasi situata do të përkeqësohej në rast të ndonjë tjetër rezultati.

“Bëmë detyrën ndaj Korabit. Ishte një trepikësh i detyruar për shkak të kushteve në të cilat ndodheshim. Ishte e rëndësishme të jepnim maksimumin në një sfidë të tillë dhe në fund të fitonim. Ia arritëm qëllimit, dhe sigurisht që ato tre pikë na japin qetësinë e duhur, por në anën tjetër e dimë shumë mirë se na presin shumë ndeshje të vështira në vijim”.

Mesfushori që luan në krahun e djathtë është i kënaqur për golin e shënuar dhe shpreson që të shënojë sërish gola të tjerë.

“Më kënaq dhe më motivon goli dhe shpresoj të shënoj gola të tjerë dhe me vlerë, pasi ecuria e ekipit është shumë e rëndësishme”.

Për futbollistin nga Kavaja, Alked Çelhaka, goli ndaj dibranëve ishte i dyti në Superiore, pasi të parin e ka shënuar para dy sezonesh me fanellën e Besës ndaj Tiranës, një gol mjaft i bukur i shënuar nga distanca.

“Kohë e gjatë që kur kam shënuar golin e parë në Superiore me Besën. Normalisht çdo gol i shënuar të bën ndjehesh mirë. Asokohe Tirana e ktheu rezultatin, ndërsa këtë herë gëzimi ishte i dyfishtë prej fitores së marrë”.

Çelhaka ishte pranë kurbinasve edhe në muajin janar të sezonit të shkuar, por në fund zgjodhi të luajë me Besën, të cilën e la këtë verë për bardhezinjtë

“Laçi besoi te unë dhe ky është një vlerësim për mua. Do mundohem t’ua shpërblej drejtuesve me paraqitjet e mia duke dhënë gjithçka nga vetja”.

Përveç tij, te Laçi janë edhe dy lojtarë të tjerë me origjinë nga Kavaja, Regi Lushkja dhe Denis Biba.

“Faktin që jemi tre lojtarë nga Kavaja këtu më ndihmon. Si unë edhe Lushkja po luajmë, ndërkohë që edhe Biba debutoi këtë javë në Superiore. Është një mundësi e mirë për mua dhe të rinjtë e tjerë që janë në skuadër”.

Në skuadrën bardhezi ka disa elementë të rinj, por edhe lojtarë me eksperiencë si kapiteni Toski apo mbrojtësi shqiptaro-nigerian Abraham Alechenwu.

“Siç dihet, jemi një skuadër me djem të rinj dhe duhet të japim maksimumin në çdo moment. Nuk kemi eksperiencën e duhur, por mundohemi të ndihmojmë njëri-tjetrin, të jemi një skuadër. Kemi fatin që kemi në ekip një lojtar si kapiteni Toski, që është pika kryesore e ekipit, si në fushë edhe jashtë saj. Na ndihmon jashtëzakonisht me këshillat e tij, pasi dihet që ai ka një eksperiencë të madhe në futbollin ndërkombëtar duke arritur të luajë edhe në Bundesligë”.

Çelhaka jeton në Laç, dhe normalisht ka nisur të zërë edhe shokët e parë, dhe zbuloi se i kishte premtuar një tifozi që do shënonte në momentin e parë që do i jepej mundësia.

“I kisha premtuar një tifozi që do shënoja dhe ia arrita. Prej dy muajsh kërkonte gol. Ishte kënaqësi ai gol, pasi arritëm të fitonim edhe ndeshjen e parë në Laç”, përfundon mesfushori Alked Çelhaka/minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.