Iken Gjoka, Kukësi me trajner të ri

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Superiorja/ Ernest Gjoka drejtoi Kukësin te titulli i parë kampion në histori, por kjo duket se nuk ka mjaftuar që kontrata e tij 1-vjeçare të rinovohet. As paraqitja dinjitoze në Europë duket se nuk e ka bindur presidentin Safet Gjici, i cili ka zgjedhur një “strateg” të ri për pankinën e veriorëve. Burime pranë klubit të Kukësit, kanë bërë me dije, se ditën e djeshme është arritur një marrëveshje me Skënder Gegën. Ish-trajneri i kombëtares U-21 të Shqipërisë, ka rënë parimisht dakord për kushtet e kontratës dhe ditën e martë, do ketë takimin me presidentin Gjici, për të zyrtarizuar edhe marrëveshjen para medias. Kjo nuk është hera e parë që Skënder Gega takohet me drejtuesit e Kukësit. Ata kanë tentuar ta afrojnë në klub në ditët që sapo kishte përfunduar kampionati, por ish-lojtari i Kombëtares kishte refuzuar të pranonte në atë kohë postin e drejtorit teknik, në shenjë respekti për kolegun e tij Gjoka. Tashmë që edhe aventura në Europë ka përfunduar dhe klubi do nisë një revolucion në ndërtimin e skuadrës që do kërkojë titullin kampion edicionin e ardhshëm, duket se presidenti Gjici ka vendosur t’i besojë timonin një trajneri të ri dhe ai është Skënder Gega. Siç ka mësuar “VIP SPORT”, Ernest Gjokës do t’i komunikohet ditën e hënë që kontrata e tij, nuk do rinovohet. Nga ana tjetër, Gega ka kërkuar pavarësi në kompetencat e tij si trajner, në mënyrë që të formojë edhe një ekip me karakteristikat teknike që ai kërkon.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.