Ilir Daja: Ndaj Laçit, do hyjmë në fushë vetëm për fitore

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Trajneri Ilir Daja në konferencën e fundit për shtyp përpara ndeshjes me Laçin ka këkuar nga ekipi të luajë futboll të thjeshtë ndërkohë ka theksuar që ekipi i tij hyn në fushë vetëm për të fituar.

Daja së pari nesër në Korçë mysafir do të jetë Laçi, ndeshje që sipas jush…?

Ndeshja e nesërme është e një niveli maksimalisht për t’u motivuar, për vetë faktin se kurbinasit kanë dy fitore, po aq sa kemi edhe ne në këto dy javë të luajtura për këtë vit. Laçi ka një ekip gati të rifomatuar me lojtarë me eksperiencë të kampionatit shqiptar. Kështu që na del për detyrë të jemi me motiv maksimal dhe them se do djersijmë shumë për të arritur fitoren.

Për të mbetur te kjo që thatë se do të djersini që të fitoni. Dy ndeshjet e para Skënderbeu i ka fituar po 1-0. Dhe sa do të presim realisht që të shikojmë në fushë Skënderbeun e vërtetë?

Do ta filloja me atë që në ndeshjen e fundit që ne luajtëm ndaj Korabit kemi pasur shumë ekuilibër, kemi qenë gjithmonë përpara portës dhe kundërshtari nuk na rezikoi asnjëherë. Kjo do të thotë se me rikthimin e kondicionit të disa lojtarëve që kanë patur probleme me dëmtimet, mendoj që nga kjo javë do të prodhojmë më shumë spektakël në lojën tonë.

Në fakt skuadra ka qenë shumë e shkurtër në lojën e vet në ofensivë konkretisht në 30 metrat e fundit dhe mbrojtja ka çaluar jo pak, këto për takimin më të fundit tuajin…

Nëse me Flamurtarin kemi pasur pak disekulibër në mesin e fushës dhe kundërshtari 2-3 herë na rezikoi me kundërsulmin, për ndeshjen e fundit jam i kënaqur nga ekipi, sepse asnjëherë kundërshtarin nuk na erdhi në zonën tonë me topin në kontroll. Ne nuk lamë asnjë boshllëk prapa në ndeshjen e fundit, kjo sepse ata ishin zero para portës tonë.

Kjo për meritë tuajën, apo për dobësinë që kishte skuadra mike?

Unë do t’u thoja që nuk ka ekipe të dobëta, sepse po të shikoni edhe kontigjentin e Korabit që mbyll Superligën, ka shumë lojtarë me eksperiencë dhe mendoj se pavarësisht se ndodhet në vendin e fundit ka marrë pikë edhe me rivalët tanë. Natyrshëm që nesër koefiçenti rritet shumë ndaj Laçit, sepse edhe ata fituan edhe me Korabin që fituam ne. Është skuadër që na hapi shumë punë edhe në ndeshjen e parë të kupës që luajtëm atje. Në 90 minuta ne duhet të jemi të përqëndruar, ndryshe ka lojtarë që mund të na dëmtojnë në situata të veçanta.

Çfarë do të kërkojë nesër Daja. Lojën, golat, trepikëshin…?

Normalisht që e para që kërrkoj është trepikëshi, por që ky trepikësh të ketë një garanci në vazhdimësi duhet që të prodhojmë edhe lojë, natyrshëm në të dyja fazat e lojës dhe ajo që është më e rëndësishme është ajo që do t’u kërkoj lojtarëve është që të jenë maksimalisht të motivuar sepse nuk ka fitore të thjeshtë.

Që do të thotë se në lojë do të jenë ata futbollistë që do të kanë gjendjen më të mirë të momentit?

Përjashto golashënuesin tonë më të mirë, Hamdi Salihi, që nuk e ka gjendjen e tij optimale, por që është një pikë referimi shumë e fortë në sulmin tonë, të gjithë futbollistët e tjerë natyrshëm që do të jenë ata që kanë gjendjen më të mirë për momentin.

Jeni i kënaqur me lojën e Lilaj dhe Orelesi në mesin e fushës?

Ndryshimi i modulit të lojës por edhe i manovrës do kohën e vet që lojtarët të përshtaten. Sigurisht që kërkoj shumë më tepër prej tyre pasi janë dy lojtarë që në potencialin e tyre individual kanë shumë më tepër për të dhënë, prandaj duhet të rrisin më shumë rendimentin e tyre dhe nëse e bëjnë do të jenë një forcë më e shtuar për ekipin.

Daja, Kristi Vangjeli në ndeshjen e fundit nuk ka qenë aq shumë aktiv në pjesën sulmuese të skuadrës. Komenti juaj?

Të them të drejtën Vangjeli sakrifikoi shumë për ekipin në takimin e kaluar pasi ishte me gjendje gripale, pra nuk kishte gjendje optimale dhe natyrshëm që kjo u reflektua edhe në lojë. Nuk mund të kërkonim më tepër ne nga një lojtar që sakrifikon shumë. Në këtë sens nuk ka qenë si në ndeshjen e parë ndaj Flamurtarit.

Rikthehet në fushë pas pezullimit Latifi. Kjo do të thotë që edhe loja ndryshon bashkë me grupin?

Latifi ka një potencial individual shumë të mirë, por që këtë potencial duhet ta ketë në funksion të grupit. Ka filluar të ndryshojë, por presim të ndryshojë edhe më shumë, pasi dihet që është nga lojtarët më të talentuar të Superligës tonë. Prandaj vlerat që ka duhet t’i shkrijë për ekipin.

Duke parë edhe shortin e këtyre dy javëve të ardhshme, ku Skënderbeu luan në shtëpi dhe Kukësi dhe Partizani e kanë të vështirë, kjo do të thotë se kampionët pritet të kapin kreun shumë shpejt?

Do të bënim gabimin më të madh nëse do të mendonim se çfarë do të ndodhte pas dy javësh. Duhet të fokusohemi me të gjitha energjithë psikofizike vetëm te Laçi.

Daja nesër fiton Skënderbeu?

Ne do të hyjmë në fushë vetëm për të fituar dhe nuk na lejohet asnjë hap i gabuar pavarësisht se futbolli i pranon të tre rezultatet.

Mund të na thoni se cili do të jetë formacioni i Skënderbeut për nesër?

Do ta shikoni në fushën e lojës, pavarësisht se unë jam një trajner që lojtarët e marrin vesh që ditën e parë të stërvitjes së javës. Vetëm nëse lojtarët nuk shfaqin në stërvitje atë që kërkohet janë në stol, por përgjithësisht po t’i pyesësh të gjithë e dinë se kush do të jetë në formacion. Atëherë mua më mbetet ta prezantoj nesër formacionin në fushë, në mënyrë që kundërshtari të mos e ketë të gatshëm, pavarësisht se nuk është ndonjë fshehtësi e madhe.

Sa i thjeshtë është ky Skënderbe në sensin e lojës?

Unë do të thoja që ajo që është më e vështira, është që të luash thjesht futboll. Këtë po kërkoj që të bëjë gjithë grupi, sidomos për të shkuar deri afër zonës së 16-të metrave të kundërshtarit.

Rumunin Predescu e keni shtyrë më lart në fushë për t’u kujdesur për topin e fundit, apo atje është roli i tij natyral?

Ka dy gjëra. E para ai është sulmues i dytë dhe atë ka rolin e tij natyral dhe e dyta edhe për shkak se në momentin e parë që ka ardhur nuk ka pasur potencialin e duhur fizik. Ka rikuperuar shumë në këtë drejtim, por mendoj që nuk mund të startojë për momentin nga fillimi.

Diçka tjetër. Jeni i kënaqur me Osmanin atje ku e keni vendosur, përpara mbrojtjes?

Osmani ka një bagazh teknik shumë të mirë dhe vertikalizon pasin qoftë të shkurtin, por edhe të gjatin. Ka një qetësi pasi ka një eksperiencë të madhe dhe ka edhe dyluftime të mira atje ku quhet kontrollori i mbrojtjes. Ai ka shumë elementë të mirë dhe prandaj është shfaqur po kaq mirë edhe në fushë.

Blerjen më të bujshme të dimrit, belgun Ogunjimi kur do ta shikojmë në fushën e lojës?

Kur të ketë kondicionin e duhur do ta shikoni në fushë. Në teste që bëmë nuk u prezantua mirë dhe ai po ndjek një program të veçantë me përgatitësin atletik Selimi dhe në momentin që do të ketë vlera të reja fizike atëherë do të jetë momenti që ne do ta hedhim në fushë.

Daja së fundimi sa përqind është përshtatur Skënderbeu me trajneri e ri, Daja dhe anasjelltas?

Natyrshëm që koha e pakët që kemi pasur në dispozicion ka bërë që edhe vetë ne kemi punuar në shumë drejtime. Mendoj që tani grupi është mësuar me atë ç’ka po kërkoj unë dhe ka filluar të reagojë edhe në fushën e lojës.

/minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.