Intervista / De Biazi: Unë nuk iki me vrap përpara vështirësive

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Intervista / Xhani De Biazi ka dalë sot në konferencën për shtyp para ndeshjes me Bosnjën. Por më shumë se sa për ndeshjen, është folur për polemikat ditëve të fundit, duke filluar që nga përplasja tashmë publike me Taulant Xhakën, për të vazhduar me atë me Sulejman Starovën i cili e ka akuzuar nëpërmjet faqeve të “Panorama Sport” se po merr lojtarë me mik në përfaqësueses.

Për deklaratën e Starovës që kjo është kthyer në “kombëtare qokash”

“Unë nuk jam mësuar të fut hundët në punët e të tjerëve dhe nuk dua që të tjerët të fusin hundët në punët e mia. Mendoj që duhet të përqendrohet te ekipi i tij, në rastin konkret me sprintin final dhe duhet të përqendrohet te ai”.

Përse trajneri nuk tregoi dy ditë më parë të vërtetën rreth Xhakës

“Sepse trajneri është 60 vjeç kurse Xhaka është 25. Trajneri mundohet të mbrojë futbollistët e tij  ndërsa  futbollistët duan që unë të tregoj të vërtetën deri ën fund. Ndoshta është më mirë që jo”.

Për mundësitë që i janë dhënë Xhakës

“Unë mendoj që lojtari duhet të respektojë vendimet e trajnerit dhe nëse ndonjëri e ndjen veten absolutisht më i forti, ta tregojë në fushë. Unë i kam dhënë gjithmonë këto mundësi. Janë disa momente kur unë kam bërë zgjedhje të ndryshme dhe duhet të pranosh zgjedhjet e trajnerit i cili është këtu për të mirën e ekipit dhe jo për te keqen,. Pastaj nëse ndokush ndjehet i sakrifikuar ky nuk është problemi im”.

Kush mban ekuilibrat në skuadër

“Kombëtarja ka një president, një trajner që vendos se kush janë lojtarët që përbëjnë skuadrën. Skuadra ka 23 lojtarë, jo vetëm 11 që shkojnë në fushë. Për mua gjëja e rëndësishme është që ato 23 që janë në grup, të shkojnë mirë brenda grupit. Nëse ka ndonjë që vuan se qesh kur luan dhe krijon probleme kur nuk luan, mendoj se është rruga që mund të të çojë drejt humbjeve.

Trajneri është ai që zgjedh se kush bëhet pjesë e 11 dhe 23, pastaj nëse ndonjë përjashton veten… Unë jam mësuar që përballë vështirësive të reagoj, nuk largohem me vrap nga vështirësitë. Nëse unë e ndjej veten më të forte se të tjerët, e tregoj në stërvitje, në fushë, kur luaj në ndeshjet me kombëtaren. Nuk është rastësi që të grumbulloj si futbollist, pasi paraqitesh mirë me klubin tënd. Por mund të ndodhë edhe që të mos luash.

Për lojtarët që aktivizohen me përfaqësuesen por jo me klubet e tyre

“Mendoj se ata që nuk po luajnë, flas për Veselin e Ajetin, që nuk luajnë në skuadrat e tyre, kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në ndeshjen e Palermos. Janë lojtarë të rinj që kanë përpara perspektivën ndaj mendoj se për ne janë lojtarë që mund të bëhen pjesë nga tani e në vazhdim, siç kanë bërë më parë, në projektin Shqipëri”.

Për aktivizimin e Hysajt ndaj Bosnjës dhe nëse do të jetë kapiten

“Elseidi është pranë meje se është një lojtar i ri, që është me ne prej 4 vitesh, debutoi në Norvegji. Është një lojtar i cili ka kaluar etapat, është një lojtar që ka dhënë gjithmonë një kontribut të madh për kauzën tonë. Që e ndjen, është pjesë e grupit dhe që mua më pëlqen shumë. Jo rastësisht luanë në një skuadër që bën ndeshje të Ligës së Kampioneve, ndaj Real Madridit dhe bën punën e tij, është këtu se nesër do të jetë një prej më ekspertëve brenda skuadrës që do të përballojë Bosnjën se e kemi harruar që nesër luajmë me Bosnjë”.

Për afrimin e Takut dhe Bares

“Meqë është lojtar që e njoh, ka qenë me ne edhe më parë. Në emergjencë e thirra se ia njoh aftësitë në aspektin teknik dhe nga pikëpamja e përkushtimit. Është lojtar që më pëlqen për karakterin që ka, nuk krijon probleme edhe dhe në skuadrën e tij, ndonëse ka pasur probleme në ndeshjen e fundit. Mua më pëlqen. Pastaj është edhe një djalosh si Bare që është për të ardhmen e kombëtares tonë dhe që po krijon eksperiencë. Luajti me U-21 dhe ka bërë një ndeshje të mirë dhe më duket se në optikën e shikimit drejt të ardhmes, mendoj se është e rëndësishme që t’i shohim këta djem dhe t’i afrojmë me skuadrën”.

A e kanë shqetësuar zërat e kohëve të fundit për situatën e Xhakës, apo dorëheqjen

“Unë jam një person i cili e ka mbajtur gjithmonë fjalën në momentet më pak të mira, edhe në të mirat, kur mund të përfitoja nga situata. Unë mendoj se kam një raport të veçante me grupin tim të lojtarëve dhe më kënaq, pastaj llafe ka sa të duash. Në Itali thonë që ‘pëllitja e gomarit nuk mbërrin në qiell’”.

Për një revoltë të lojtarëve pas Europianit

“Këtu nuk ka asnjë revoltë, kjo është një zgjedhje që e bej unë. Pastaj nëse ndokush nuk i pëlqen zgjedhja, është i lirë të largohet. E kam thënë që në ditën e parë që erdha, dyert e kombëtares janë të hapura për të hyrë dhe për të dalë, këtu nuk është askush i palëvizshëm. Pastaj rregullat respektohen. Këtu nuk mungon disiplina, përkundrazi, ndoshta ka shumë disiplinë dhe dikush e ka shkëmbyer me diçka tjetër. Nëse është ndokush që thotë që nuk ka disiplinë në kombëtare i them se nuk ka pasur asnjëherë më shumë disiplinë në kombëtare se tani, si përsa i përket organizimit, si për sa i përket punës në fushë, si për sa i përket aplikimit. Këtu flitet për lojtarë që kanë dëshirë që të hapin një kontribut të rëndësishëm për kombëtaren. Ata që kanë dëshirë të japin, janë këtu, të tjerët mund të shkojnë qetësisht edhe jashtë grupit pa asnjë lloj problemi”.

Për ndeshjen me Bosnjën

“Do bëjmë disa gjëra që të arrijmë rezultat në mënyrën e duhur, duke ecur përpara me një programim që kam në mendje për t’u munduar të ndërthur elemente të rinj, për të parë drejt ndeshjes së qershorit tek e cila jam përqendruar. Kjo ndeshje për ne është një test, është një skuadër e fortë, me teknikë, me cilësi, ndaj është një kundërshtar që duhet ndjekur me shumë vëmendje, përkushtim dhe cilësi”.

Për ndeshjen me Izraelin

“Të mendojmë për zgjedhjet, si është momenti, tani të shohim se nuk ka mbaruar ende kampionatin, 9 ndeshje në Turqi dhe pak a shumë në Itali dhe të mundohemi të shohim kushtet më të mira të lojtarëve edhe të hedhim në fushë formacionin më të mitë dhe të mundohemi të marrim atë rezultat që nuk e arritëm në shtëpi”.

Për oferta të mundshme në fund të edicionit

“Në fund të këtij edicioni, në tetor apo kur mbaron, ndoshta nuk do të ekzistojnë më kushtet për të vazhduar. Varet nga ajo çfarë vendos presidenti me vlerësimet e tij, janë ato që vlejnë në fund dhe në fund është ai që mund të vlerësojë nëse do të më rinovojë apo jo kontratën”.

Nëse ekipi ka nevojë për një tjetër revolucion si ai kur erdhi

“Problemi është vetëm një, të gjesh lojtarë që janë më të aftë dhe më me perspektivë sesa ata që janë pjesë e grupit, ky diskutim duhet bërë nëse duam të rritemi. Problemi është që numrat tanë janë të reduktuar. Shqipëria ka një popullsi të vogël, sot është edhe problemi i lojtarëve të Kosovës që vështirë se vijnë te ne, sepse Kosova tashmë është njohur ndërkombëtarisht.

Të gjithë këto aspekte kontribuojnë që të bëjmë zgjedhjet pak më me vështirësi, por kemi nevojë që të rritemi dhe po aplikojmë këtë pikëpamje. Debutuan tre lojtarë, e kemi edhe një tjetër të ri titullar që nuk ishte prezent. Janë të gjithë lojtarë të cilët mund të jenë lojtarë kyç për ne. Nesër të shohim nëse mund të bëjmë ndonjë gjë tjetër me lojtarët që të krijojnë eksperiencë, pasi ndryshimi thelbësor është të kesh eksperiencë në nivel klubi dhe të mundohesh të shfrytëzosh cilësitë e tyre”.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.