INTERVISTA/ Tifo nga Belgjika për Skënderbeun, Olainka “kthehet” në prag të Beogradit: Shënon Sowe, Lilaj impresionues… Kombëtarja shqiptare? E mirëpres ftesën!

0
SHPËRNDAJE

Për një sezon e gjysmë luajti me Skënderbeun, duke qenë një nga titullarët e padiskutueshëm të korçarëve. Peter Olainka, sulmuesi 21-vjeçar që impresionoi të gjithë Europën me cilësitë e tij. Në fund Skënderbeu, s’mund ta mbante më. Një ofertë prej 1,1 milion eurosh nuk mund të refuzohej. Për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar një lojtar blihej nga kampionati ynë nga klubi i Gent në Belgjikë.

Shtatlarti është kthyer sërish, po këtë herë për të folur përmes një interviste eksluzive për newsport.al, për Skënderbeun dhe futbollin shqiptar. Ekipin korçar e njeh mjaft mirë, madje veçon Lilajn dhe Soëe-në si lojtarët vendimtarë të bardhekuqve. Emri i tij është lakuar për ditë me radhë për kombëtaren shqiptare dhe kur pyetet për këtë, 21-vjeçari nuk e fsheh dëshirën për t’iu bashkuar organikës së Christian Panuçit.

– Peter si jeni? Nga newsport.al në Shqipëri ju shkruajmë.
Përshëndetje! Mirë, faleminderit.

– E keni ndjekur Skënderbeun?
Sigurisht. Që kur u largova nga Shqipëria asnjëherë nuk e kam lënë pas dore Skënderbeun, nëse mund ta them kështu.

– Pse gjithë kjo dashuri për një skuadër shqiptare?
Sepse unë aty u formova si futbollist dhe kurrë s’do ta harroj.

– Nesër, Skënderbeu luan në fazën e grupeve të Europa League, kompeticion që ty të shërbeu si një trampolinë për të ardhmen tënde…
Po, e vërtetë. Unë falë Skënderbeut jam këtu, ku jam sot. Vitet e fundit ish-skuadra ime ka dominuar në Shqipëri dhe në Europë ka bërë historinë që asnjë nga klubet shqiptare s’e ka bërë. Prandaj mendoj se Skënderbeu është një nga skuadrat më të mira në Europë.

– Kur e thoni këtë, me cilën skuadër e krahasoni?  Në Europë luajnë Barcelona, Real Madrid, Juventus e shumë të tjerë…
(Qesh) Është e vërtetë, por unë po them për ritmet me cilat po ecën, besoj se është një nga skuadrat më të mira në Europë.

– Nesër, luan kundër Partizanit të Beogradit. Si e shikon këtë takim?
Do të jetë e vështirë. Me sa kam lexuar dhe trysnia e tifozëve do të bëjë që mos të zhvillohet një ndeshje normale. Megjithatë besoj se do të kthehen në Shqipëri me një rezultat pozitiv.

– Kush do të jetë futbollisti vendimtar për korçarët?
Ali Sowe. Është një lojtar potent dhe di ta gjejë mjaft mirë rrugën e rrjetës.

– Meqenëse e paske ndjekur mirë Skënderbeun, ku ndryshon Soëe nga ju?
Këtë e dijnë trajnerët. Megjithatë mund të them për të që më pëlqen shumë si lojtar dhe besoj se do ta ndihmojë shumë Skënderbeun.
– Po në Superligën shqiptare e ke ndjekur?
Po, e kam ndjekur. Titullin kampion jam i bindur që Skënderbeu nuk do ta diskutojë.

– Cilin nga lojtarët veçon?
Sabien Lilajn. Më ka impresionuar dhe sinqerisht ai futbollist duhet të luajë në një ligë më të fortë.

– Më të fortë?! Ju më lart thatë që Skënderbeu është një nga skuadrat më të mira në Europë…
Të jemi të qartë. Skënderbeu është lart në krahasim me ekipet e tjera që bëjnë pjesë në ligën shqiptare. Për Sabienin e them këtë sepse një skuadër tjetër larg Shqipërisë do ta rriste akoma më shumë. I ka të gjitha potencialet për të qenë pse jo, ndër mesfushorët më të mirë.

– Këtë sezon Skënderbeu ka trajner Dajën, ndërsa Mirel Josa është transferuar në Kosovë. Diferencat?
Unë mund të them që trajneri Josa është mjaft i mirë. Ndërsa Ilir Dajën nuk e njoh, nuk kam punuar me të. Megjithatë ecuria e Skënderbeut në kampionat dhe në Europë e tregojnë që është një trajner i mirë.

– Flasim pak për ju. Në Shqipëri ka nisur të qarkullojë emri juaj për t’u bërë pjesë e kombëtares shqiptare. Mund të na zbulosh diçka më shumë?
Të them të drejtën nuk kam dijeni. Jam i përqëndruar me ekipin tim në Belgjikë me Zulte – Waregem.

– Do ta pranoje një ftesë nga Shqipëria?
Sigurisht! Uroj që një ditë të ndodhë. Përfaqësuesja shqiptare është rritur shumë dhe pse jo, të jap edhe unë kontributin tim për vendin që më rriti si futbollist. /Retin TOKA/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.