Italia fillon përgatitjet për Lihtenshtejnin

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Rivalja e grupit tonë, Italia, ka nisur gjithashtu përgatitjet për sfidën e radhës. Pavarësisht se rivali është modest, trajneri Ventura nuk ka dëshirë të provojë të papritura, por po përgatitet si të ishte një ndeshje e vështirë.

Italia luan ndaj Lihtenshtajnit, por trajneri Ventura dëshiron që lojtarët e tij të mos e mendojnë të lehtë. Gjithkush pret që të kaltrit të shënojnë një “thes me gola” ndaj ekipit më të dobët të grupit, teksa një njeri me përvojë si trajneri i italianëve, kërkon t’i dalë përpara çdo të keqeje.

“Është një ndeshje eleminatore që nëse e fiton quhet normalitet, por duhet ta fitosh. Në shumë vjet që jam në futboll kam mësuar se askush nuk fiton pa hyrë ende në fushë. Unë i kam parë ndeshjet e Lihtenshtajnit. Le të kujtojmë Spanjën, që e mundi 8-0, por që deri në minutën e 65-të rezultati ishte 1-0 dhe nuk kishte shumë raste për gol. Kundërshtari është i kalueshëm, por duhet seriozitet për të mos pasur të papritura”.

Ventura ka thirrur në ekip lojtarë të rinj si Galiardinin e Atalantës dhe sulmuesin e Milanit, Lapadula, por për momentin, nuk mendon për Balotelin. Trajneri shprehet se dy muaj pozitivë nuk mjaftojnë për të ndryshuar historinë e një lojtari, por sulmuesi mbetet nën vëzhgim. Lihtenshtajni është përballja zyrtare, ndërsa më pas vjen luksi i miqësores me Gjermaninë.

“Unë mbetem me idenë që, sot për sot, me atë që ndodh në futbollin ndërkombëtar, do të kisha dashur një miqësore me shkallë më të vogël vështirësie. Unë doja që të provoja lojtarë të rinj, por ngadalë-ngadalë. Në këto momente, Gjermania është skuadra më e fortë, dhe sidomos më e organizuar se të gjitha kombëtaret e tjera të botës”.

Për herë të parë, pas shumë vitesh, Milani ka më shumë lojtarë në Kombëtare se skuadrat e tjera, plot 6. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.