Ja pse Edon Hasani nuk luan më titullar

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Si një diamant i minierës së Vllaznisë, Edon Hasani ka debutuar që në moshën 15-vjeçare në Kategorinë Superiore. Ai aktualisht është një nga emrat më të shquar të futbollit shqiptar dhe prej tre vitesh ka qenë një nga shtyllat kryesore të skuadrës së Kukësit.

Megjithatë, së fundmi mesfushori nuk po kalon ditët e tij më të mira. Gjithçka nisi në dhjetorin e kaluar.

Me kontratën që i përfundon në verën e ardhshme, klubi mori sinjale se Hasani dëshiron largimin dhe që atëherë ai nuk luan më si titullar. Siç mësohet, Kukësi ka vendosur ta ndëshkojë shkodranin duke e bërë mik të përjavshëm me stolin.

Kjo manovër përdoret edhe në klubet e mëdha, duke ndikuar që lojtari të humbasë formën dhe të “harrohet” nga skuadra të tjera. Hasani ka qenë i dëmtuar, por ai e zhvilloi plotësisht fazën përgatitore në Turqi dhe aktualisht nuk ka asnjë shqetësim.

Kështu, trajneri Ernest Gjoka vështirë të gjejë një justifikim për lënien në stol të një prej futbollistëve më cilësorë të skuadrës së tij. Burime të ndryshme pranë lojtarit bëjnë me dije se Hasani ëndërron të rikthehet te Vllaznia, por edhe një kalim te Partizani është i mundshëm.

Kjo, gjithmonë nëse ai nuk do të ketë oferta nga jashtë. Një gjë dihet me siguri: Edon Hasani nuk do të rinovojë me Kukësin, edhe nëse skuadra verilindore këtë sezon do të shpallet kampione e Shqipërisë.

Ai do të vishet blu maksimumi deri në muajin gusht, nëse Kukësi do të ketë sukses në kualifikueset e kompeticioneve evropiane, bazuar te kontrata. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.