Ja pse qau ”Luani i Himarës”, Pirro Dhima

0
SHPËRNDAJE
Loading...

“Unë kam ngritur libra e mall, ndërsa ti hekura e urrejtje…”.

Në mesin e viteve 80’ isha tepër i nderuar e i respektuar, kur më kishin dhënë votën e besimin për të qenë Anëtar i Kryesisë së klubit të famshëm sportiv shqiptar “Tirana”. Përkrah e midis emrave te shquar të këtij klubi e të sportit shqiptar, jo vetëm që u ndjeva mirë por mësova shumë, aq shumë sa kaluar edhe një universiteti nga më cilësorët.

Sportin e Peshëngritjes e garuesit e tij i kam ndjekur, dashur e respektuar fort. Nuk gjej dot fjalë të shkruaj për mjeshtrit e mëdhenj të tij ndër vite që na dhuruan aq shumë emocione si Aleksandër Kondo, Erlin Nikolla, Mirjan Hakani, Faruk Kalleshi, Agron Haxhihyseni, Hysen Cenaj, Luan Shabani, Fatmir Bushi, Muharrem Berisha, Viktor e Agim Xhelili, e padyshim edhe njeri prej më të mëdhenjve prej tyre Pirro Dhima. Nuk po ndalem në detaje për të folur po me të njëjtën konsideratë edhe për të tjerë mjeshtra që pasuan pas tyre e deri ne ditët e sotme, e që vazhdojnë këtë traditë të shkëlqyer të peshëngritjes shqiptare, të cilëve ju uroj vetëm suksese e ju dëshiroj çdo të mirë.

Do të qe Qershori i 1985 kur në Pallatin e Sportit “Partizani”zhvillohej një garë mes më të mirëve e të talentuarve të këtij sporti nga i gjithë vendi. Miku im i mrekullueshëm, trajneri i apasionuar Zef Kovaçi më fton të isha i pranishëm e të shkruaja diçka pasi kishte aty vërtet talente, që shpresonin shumë për të ardhmen e për rezultate të larta ndërkombëtare. Aty pashë, e njoha nga afër për herë të parë edhe një djalosh të hequr, e me një trup perfekt e të prerë për një sport të tillë. Është vetëm 14 vjeç, por është fenomenal më konfirmuan gjatë bisedës trajnerët e respektuar Kovaçi, N. Buneci e H. Shaqiri. Bëhej fjalë për Pirro Dhimën, atë që do të shpërthente fuqishëm më vonë me talentin e tij si rrallë kush më parë. Vitet kaluan e ai u bë vërtet një kampion e rekordmen i madh.

Ka lindur me 1971, nga prindër me origjinë të etnisë greke në Himarë. Të mos harrojmë se në atë kohë për arsye politike që dihen mirë, E.Hoxha i trajtonte minoritarët shumë më mirë se ne vendalinjtë shqiptarë, madje në shumë drejtime e ky është fakt i pamohueshëm. Pirro e nisi sportin që me grupmoshat 11-vjeçare të Klubit të Tiranës. Ishte vetëm 18 vjeç kur në peshën 82.5 kg do të shpallej Kampion Absolut i Shqipërisë në tregarësh, ç’ka e përsërit edhe një vit më vonë. Në 1989 në Kampionatin e 62-të Botëror renditet i 12-ti e në Aalborg të Danimarkës, po në të njëjtin vit në Europianin e 69 renditet i katërti e Shqipëria zë vendin e tretë pas Rusisë e Bullgarisë. Një vit më pas Dhima, Bushi e Shabani e rendisin Shqipërinë të dytën e Kupës së Europës në Antalia të Turqisë, pas Bullgarisë fituese. Në këtë periudhë Pirros i jepet titulli i lartë “Mjeshtër Sporti”.

Sporti popullor”, N. 17, 28 prill 1986
Foto e “Sportit popullor”, N. 17, 28 prill 1986.

Më 1991 emigron familjarisht në Greqi. Një vit më pas merr nënshtetësinë greke e po këtë vit përfaqëson Greqinë në Lojërat Olimpike. Fiton Medaljen e Artë në peshën 82.5 kg e mbahet mend mirë për atë ç’ka tha në çastin e triumfit tek ngrinte peshën e rëndë që do ta bënte edhe më të famshëm, Gia Tin Ellada (Për Greqinë). Më 1993 e ‘96 shpallet Kampion i Botës si dhe është Flamurmbajtësi i Atdheut të tij të ri në parakalimin ceremonial të Lojërave Olimpike ku fiton sërish “Medaljen e Artë”, me dy rekorde të reja botërore, sukses që e përsërit edhe në Olimpiadën e vitit 2000 në peshën 85 kg. Në Lojërat Olimpike të Athinës, në 2004 ”Flag – Mani Grek” nuk shkon dot më shumë se Medalja e Bronxit dhe këtu mbyll karrierën e tij. Për rezultatet e arritura, mbetet ndër tre peshëngritësit më të mirë të botës për të gjitha kohërat, fitues i tre medaljeve të arta, në tre olimpiada rresht, së bashku me emrat e shquar të këtij sporti turkun Naim Suleymanoglu e gjeorgjianin Kakhi Kakhiashvili. Në 2008 zgjidhet President i Federatës Greke të Peshëngritjes.

Tashmë në kulmin e lavdisë së tij martohet e krijon familje me reporteren greke të sportit të kanalit televiziv ERT, Anastasia Sdouskou, me të cilën ka katër fëmijë, Eleni (20 vjeçe),  Victoria (17 vjeçe), Maria (15 vjeçe) dhe Nikolas 6 vjeçar. Gjatë gjithë kohës që nga dita e parë e emigrimit të tij në token helene Dhima, që ishte krenaria e një ndër më të respektuarit e të mirëtrajtuarit e sportit shqiptar, ktheu në 360 gradë qëndrimin e opinionin e tij për Shqipërinë që e lindi, rriti dhe e bëri një kampion të madh. Për shqiptarët që e trajtuan me një ngrohtësi e dashuri të rralle birin e tyre, që shumë shpejt u kthye në plangprishës, mosmirënjohës e bukëshkalë. Janë një sërë intervistash ne shtyp, radio e TV që ai flet me mllef, përçmim, përbuzje, neveri e urrejtje për Shqipërinë e shqiptarët duke u bërë kështu ushqimi më i mirë e i preferuar për median historikisht antishqiptare greke. Tek e dëgjoje, e po të mos ta njihje thoje me vete, mirëpo ky kaq i ri e megjithatë këtë lloj persekucione me siguri do ketë qenë në ndonjë nga burgjet e famshme të regjimit e kushedi se sa ka hequr e vuajtur i ziu.

Kur e dëgjoja e lexoja seç kishte broçkullitur apo edhe kur e shihja në TV greke, kujtoja jo pak histori intime e gati familjare me djaloshin Dhima, kur së bashku me tre emra te shquar të sportit shqiptar e atij bardhë e blu, Lame Konomin, Zija Shabën e Zef Kovaçin bëmë të pamundurën për ta ndihmuar në të gjitha drejtimet, pasi vërtet e meritonte. Kurrë nuk menduam e gjykuam së paskërkeshim mbajtur gjarprin në gji. Nuk e harroj kur morëm vendimin e kryesisë së klubit për trajtimin e tij si sportist me përparësi të veçantë. Nuk mund ta harroj kur një ditë, me ndali e paharruara guzhinierja e klubit tonë Ganimetja (Nona, siç e thërrisnin të gjithë sportistët bardhë e blu) e më tha: “Tiku, të keqen nona bëni diçka për atë çun, se më dhimbset vërtet kur e shoh që një pjesë të mirë të ushqimit nuk e konsumon këtu në mensë për veten e vet, por e merr me vete në shtëpi. Kushedi si i ka hallet në familje i shkreti.”

11403008_1609773545943286_3214238974240995614_n
Zef Kovaçi, trajneri i shkëlqyer i peshëngritjes shqiptare e ai që e bëri Dhimën një kampion të madh

Nuk e harroj se çfarë lufte kemi bërë me Sekretarin e Parë të Tiranës në atë kohë, Pirro Kondin për t’i mundësuar pranimin në ILKF, pasi Pirro kishte dështuar dy herë në marrjen e normave të caktuara për pranim në këtë shkollë, të vetmen sportive që kishte vendi. Nuk e harroj edhe kur i vajta në shtëpinë e tij, aty mes shkollës së Baletit e Trikotazhit, në rrugën e Elbasanit, për një intervistë e për të parë me sytë e mi se si jetonte kampioni i madh i Shqipërisë. Për të mos thëne më mirë se ne, po them jetonte si çdo familje shqiptare me të njëjtat kondita. Bëj çudi se si u shpërfytyrua ai djalë, e karakteri i tij, deri në këtë farë derexheje. E pra, ishte i urtë, i dëgjueshëm, i sjellshëm, tepër korrekt e i respektueshëm me të gjithë. Tek e dëgjoja ashtu tek villte vrer e helm ndaj nesh, shqiptarëve e Shqipërisë thoja me vete: Jo, nuk të takon ty Pirro të flasësh me këtë gjuhë. Vërtet Shqipëria e Diktatorit dhe e diktaturës ishte ashtu siç thua ti, ferr e sketerrë, por fajin ty e të gjithë ne të tjerëve nuk na i kishte populli shqiptar e as Shqipëria jonë e mirë, e vuajtur dhe e gjorë, por thjesht një kriminel e banda e tij komuniste dhe e pa shpirt që kishim si zgjedhe mbi krye për dekada me radhë. Ty personalisht, ky vend të deshi e të respektoj me të gjitha kushtet e mundësitë e tija, edhe pse ti më vone jo vetëm qe i ktheve shpinën, por edhe e përbuze duke u kthyer në sytë e tij e të gjithkujt nga një Kampion i Madh në një papagall i pavlerë e në një tradhtar i rëndomtë i radhës, në listën e gjatë të pabesive ndaj tij.

Ishte viti 1994 kur i ndodhur me shërbim pune si gazetar në Athinë vendosa ta takoj e ti them dy fjalë sy me sy, si burri-burrit. Isha i sigurtë se kisha bërë jo pak për të e nuk do ma refuzonte kërkesën për t’u takuar edhe pse tashme ishte bërë i Madh, Kampion Bote e Olimpik, Heroi i Greqisë e ruhej me bodyguardë. E telefonova, mu përgjigj me shumë mirësjellje dhe e lamë të takoheshim atë pasdite në Hotel Akropolis, diku afër me stadiumin e vjetër Olimpik të Athinës. Pasi u përqafuam, u përshëndetëm e shkëmbyem pyetjet e rastit më tha: “Çe mirë të ka sjellë në atdheun tim të lavdishëm, e ç’mund të bëj Pirrua për ty”?. Heshta pak minuta, e vështrova drejt e në sy, e mendova vetëtimthi me vete mirëpo është po ky Pirro që vjell helm e vrer ndaj nesh, apo më bëjnë mua sytë. Dëgjo,- i thashë,- të kam njohur e kam shkruar për ty që kur ishe 14 vjeç e nuk të njihte askush, por paska njohje e ç’njohje. Nuk më vjen mirë e ndjehem tepër i ofenduar me qëndrimin që ti po mban ndaj Shqipërisë e shqiptarëve. Tha ca fjalë me shpejtësi, mospërfillje e nervozizëm në greqisht e mu drejtua: “Po ti për ti vënë nderin në vend Shqipërisë e shqiptarëve paske ardhur e më ke munduar mua të vi këtu. Mbaje fort atdheun tënd se mos të iki vazhdoi, se i imi ja ku është”,- e ju drejtua një flamuri të madh grek, që ishte varur aty dhe e puthi. U ngrita,- faleminderit që erdhe e më takove i thashë. Zoti të ruajtë nga mendtë e kokës e mos harro se shkodranët tanë të mençur kanë një fjalë të mrekullueshme e me vlerë, “hunda e madhe, belaja e të zotit”. I dhashë dorën e nuk denjova as të dëgjoja seç po thoshte në ikje, e sipër. Ky ishte takimi im i fundit me të e që shpresoj të ketë qenë e të mbetet vërtet i fundit.

11709847_1609773549276619_989134562872685209_n
Bukëshkali Pirro në një nga studiot e papagallëve të PASOK-ut

I kujtova të gjitha këto kur e pashë sërish dy ditë më parë, të përsëriste përmes lotësh, ”krokodili” të njëjtin avaz të ferrit e skëterrës shqiptare në të cilën nuk donte që ai e fëmijët e tij, por edhe populli grek të binin e të kishin të njëjtin fat. Për ta mbyllur o PYRROS DIMAS, po të kujtoj se para e gjatë Luftës së Dytë Botërore ai populli yt ”i pasur” e ai atdheu yt ”i lavdishëm” punonte si argat në sarajet e pronat e shqiptarëve zemërmëdhenj e dashamirës e kërkonte e lypte bukë e drithë tek ta e ata, si racë e lindur fisnike. Kurrë nuk ju a mbyllën dyert e kurrë nuk i mallkuan, por Zoti është i madh. Vonon por kurrë nuk harron ndaj mos e harro këtë, ti dhe populli yt e atdheu yt i ri e i vjetër.

Unë gjatë gjithë jetës sime o Pirro kam ngritur libra e mall për vendin e popullin tim, ndërsa në të kundërt Ti ke ngritur vetëm hekura e urrejtje.

* Botuar eskluzivisht me lejen e autorit, gjithashtu botuar në “Koha Jonë” me 4 Korrik, 2015.

© minuta90.com

 

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.