Ja sa ka përfituar Kosova nga “Euro 2016”

0
SHPËRNDAJE

kosova

Të gjitha shtetet pjesëmarrëse të Kampionatit Evropian kanë fituar diçka – dikush më shumë e dikush më pak. Por prej shteteve që nuk kanë marrë pjesë në “Euro 2016” përfituesja më e madhe del të jetë Kosova. Analistët thonë se prezenca e 15 futbollistëve kosovarë në “Euro 2016” i ka bërë reklamë të madhe shtetit tonë të posapranuar në UEFA e FIFA, ani pse ata luajtën për Shqipërinë dhe Zvicrën

Rasti i vëllezërve Xhaka, Taulantit dhe Granitit, ka zënë vend në histori të kampionateve evropiane. Kjo ishte hera e parë që në një Evropian vëllai luajti kundër vëllait.

Ndeshja Shqipëri – Zvicër vuri përballë dy djemtë e familjes Xhaka, e cila kishte emigruar në Zvicër kur Kosova po përjetonte situatë shumë të rëndë politike. Derisa Kosova nuk kishte të drejtë të merrte pjesë në gara ndërkombëtare familja Xhaka njërin djalë ia kishte dhënë Zvicrës e tjetrin Shqipërisë.

Ky rast tërhoqi edhe vëmendjen e gjitha medieve ndërkombëtare, të cilat raportuan për “vakinë” e vëllezërve Xhaka, por treguan se Shqipëria dhe Zvicra përpos Taulantit e Granitit kanë edhe lojtarë tjerë me prejardhje nga Kosova, e cila tashmë është e njohur nga UEFA dhe FIFA, shkruan Zëri.

Zvicra e Valon Behramit, Granit Xhakës, Xherdan Shaqirit e Shani Tarashajt nuk arriti të shkojë në çerekfinale, por ishte treguar skuadër shumë e fortë, e ndërtuar mbi bazën e kosovarëve, përkatësisht gjashtë futbollistëve shqiptarë, duke përfshirë këtu edhe Admir Mehmedin e Blerim Xhemailin.

Në anën tjetër, Shqipëria nuk arriti ta kalojë fazën e grupeve, por u paraqit shumë mirë në “Euro 2016”, duke marrë duartrokitje ndërkombëtare. Dhe merita të mëdha për këtë kanë njëmbëdhjetë kosovarët e saj: Lorik Cana, Etrit Berisha, Arlind Ajeti, Mërgim Mavraj, Frederik Veseli, Migjen Basha, Taulant Xhaka, Burim Kukeli, Ermir Lenjani, Amir Abrashi e Shkëlzen Gashi.

Madje, trajneri që ka fituar trofe të vlefshëm në Kosovë, Gani Sejdiu, thotë se falë futbollistëve kosovarë Shqipëria dhe Zvicra posedojnë forcën aktuale. “Edhe Kosova ka përfituar shumë në këtë Kampionat Evropian, pasi imazhi i popullit të Kosovës është ngritur shumë pas paraqitjeve të Shqipërisë dhe Zvicrës”, thotë ai.

“Duhet të jemi realistë, falë futbollistëve kosovarë Shqipëria dhe Zvicra kanë arritur sukseset që i kanë. Një vendi i vogël si Kosova ka treguar se mund të prodhojë futbollistë, të cilët mund ta mbajnë barrën kryesore në turne prestigjioze si ky i fundit”, theksoi Sejdiu. Njëjtë shprehet edhe trajneri tjetër i njohur në vendin tonë Bylbyl Sokoli.

“Të gjithë këta futbollistë me prejardhje nga Kosova e kanë afirmuar shtetin e Kosovës, duke i dhënë një imazh të mirë në përgjithësi kombit shqiptar pas paraqitjes në këtë Evropian”, thotë profesori, i cili thekson se “Zvicra shqiptare” ka merituar të shkojë të paktën në çerekfinale, kurse për Shqipërinë thotë:

“Asnjëherë nuk duhet të jemi të kënaqur, por duhet gjithmonë të kërkojmë rezultate pozitive. Duke e ditur se ky ishte debutim i Shqipërisë në një Evropian, mund të them se bëri një paraqitje dinjitoze dhe ishte një kundërshtar i denjë për të gjithë ekipet më të cilat u takua. Duhet të jemi të kënaqur”, tha Sokoli. Edhe Sejdiu lavdëron paraqitjen shqiptare.

“Jam shumë i kënaqur me atë çfarë ka arritur të tregojë Kombëtarja e Shqipërisë në debutimin e saj historik në Kampionatin Evropian. Me pak fat kemi mundur që të kalojmë edhe fazën e grupeve”, tha Sejdiu duke shprehur simpati edhe për Zvicrën e shqiptarëve.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.