Josa: E dominuam lojën, por duhej të kishim këmbëngulur më shumë

0
SHPËRNDAJE

Mirel Josa mendon se problemi kryesor i Tiranës është mungesa e besimit që vjen nga cilësitë individuale të secilit lojtar. Sipas trajnerit bardheblu, nga situata e vështirë ku ndodhet skuadra mund të dilet vetëm nëse lojtarët besojnë më shumë në aftësitë e veta dhe i shfaqin ato në fushën e lojës.

Këto komente Josa i bëri në mikrofonin e SuperSport pas barazimit pa gola në shtëpi ndaj Laçit.

“Në përgjithësi e dominuam lojën, sidomos në krahun e djathtë të sulmit tonë, me ndihmën e mbrojtësit Doka nëpërmjet mesfushorit Taku. Duhej të kishim më këmbëngulur më shumë në topat që dolën para portës së kundërshtarit, megjithatë, për mendimin tim, është shumë pak që një skuadër të dominojë në këtë formë. Gjithashtu, edhe kur donim të çanim nga qendra ishte e pamundur, pasi duhej të kishim shumë durim që ta kthenim lojën të cilën e përqendruam më shumë në krahun e djathtë.

Në momente të caktuara ishim shumë të ngushtë si gjerësi sulmi, sepse nuk u pozicionuam mirë. Me një sulmues të vetëm është e pamundur të thyesh një mbrojtje, sado të sakta të jenë pasimet nga krahët. Na duhej dendësi më e madhe lojtarësh në zonën kundërshtare.

Topi duhej të vijë në momentin e duhur, duke pasur lojtarë që e kërkojnë dhe e japin atë. Unë them që këtu kemi probleme, sidomos në filtrimin e topit vertikal. Duhej të ishim pak më të shpejtë në ndryshimin e krahëve të lojës dhe më të përqendruar në shfrytëzimin e rasteve, pasi janë mundësi që nuk vijnë shpesh”.

“Nuk mund të them nëse ishte apo jo pozicion jashtë loje. Ju e keni parë më mirë dhe unë nuk mund të jap ndonjë verdikt. Duhet parë vija drejt për ta përcaktuar saktë”.

“Besimi rikthehet së pari duke besuar vetë në forcat e tua, por varet edhe nga aftësitë që ke. Në qoftë se nuk mbron topin apo merr një faull, si mund të kthehet ky besim? Prandaj unë them që më tepër është problem aftësie individuale e çdo lojtari në mënyrë që të arrijmë aty ku duam ne.

Nuk mund të them se skuadra ka frikë të fitojë, por problemi është te rritja e besimit individual të lojtarëve dhe personaliteti i gjithsecilit në fushë. Ky është problemi ynë më i madh në këto momente. Normale që situata nuk është aspak e mirë dhe ne duam ta rregullojmë. Edhe në Kupën e Shqipërisë gjërat nuk do të jenë të thjeshta, pavarësisht barazimit 1-1 që kemi marrë jashtë fushe ndaj Besëlidhjes”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Tiranës, Mirel Josa. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU