Josa: I kënaqur me pjesën e parë, por jo me të dytën

0
SHPËRNDAJE
Loading...

mirel-josaTrajneri i Tiranës, Mirel Josa, pas ndeshjes me Kukësin, në prononcimin për SuperSport, dhënë gazetarit Ylli Aga, është i kënaqur me pikën që Tirana e tij mori sot në Kukës, ku shpehu disa rezerva për ekipin e tij në pjesën e dytë, megjithatë e cilëson këtë rezultat si një pikënisje nga ku duhet përgatitur derbi i së enjtes me Partizanin.

“Jam i kënaqur me pjesën e parë, ku patëm më tepër zhvillim loje dhe u munduam ta qarkullonim topin duke u shfaqur në zonën e Kukësit. Kurse pjesën e dytë e nisëm shumë keq. Jam i pakënaqur sidomos me dhjetë minutat e para pas pushimit. I dhamë mundësi kundërshtarit të na sulmonte. Ata na sulmuan sidomos me topa të lartë, megjithatë arritëm t’i përballojmë falë shtatlartësisë së mbrojtësve tanë”.

“Derbi me Partizanin? Së pari, në derbi fillimisht do të kërkojmë të mos pësojmë gol, pastaj do të shohim përpara. Duhet të kemi parasysh që derbi është një ndeshje me natyrë krejt të ndryshme. E dimë çfarë emocionesh dhe presioni ka derbi. Duhet të jemi më të qetë dhe ky barazm në Kukës na jep mundësi ta përgatisim më mirë derbin”.

“Nkounkou? Bën disa gabime në kapjen e zonave, duke u mbyllur vetë. Duhet të jetë më i përqendruar dhe të shfrytëzojë hapësirat që i krijohen. Nuk duhet të nxitohet duke u dhënë mundësi mbrojtësve ta markojnë. Kurse Cisse, edhe pse nuk shënon, jep një ndihmë të madhe për skuadrën”.

“Dëmtimi i mbrojtësit Hoxhallari? Hoxhallari pësoi një bllokim, pasi jemi stërvitur gjatë gjithë javës në fushë sintetike dhe sot luajtëm po në terren me bar sintetik. Nuk besoj se është dëmtim i rëndë, megjithatë nesër do të mësojmë më me hollësi”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Tiranës, Mirel Josa. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.