Josa: Jam shumë i zhgënjyer, e nisëm keq ndeshjen

0
SHPËRNDAJE

Trajneri i Tiranës Mirel Josa nuk di si ta shpjegojë krizën e bardhebluve, që në vitin 2017 nuk ka fitore në kampionat. Tekniku bardheblu e pranon se skuadra nuk ka qetësi dhe gabimet janë elementare. Duke folur për SuperSport, në prononcimin për gazetarin Ylli Aga pas humbjes ndaj Vllaznisë, ai tha se është shumë i zhgënjyer, teksa u shpreh se ekipi i tij e nisi keq ndeshjen dhe prandaj edhe erdhi kjo humbje.

“Normale që jam i zhgënjyer, sidomos për mënyrën si skuadra e filloi lojën. E nisëm keq ndeshjen, sidomos në 20 minutat e para luajtëm dobët, Vllaznia i fitoi gjithë dyluftimet dhe shkonim gjithnjë me vonesë te topi, që zotërohej gjithnjë nga kundërshtari. Bëmë ndryshime, edhe në vendosje, në pjesën e dytë, por pësuam gola naivë, në pozicione standarde. Edhe kur barazuam, nuk patëm kohë as të rindërtonim sulme të tjera, sepse pësuam sërish gol, gjë që nuk i shkon kësaj skuadre.

Nëse Acquah e ka prekur topin me dorë, është vendim i drejtë i gjyqtarit Sino. Si pozicion ai ishte në rregull, por pati një trajektore të çuditshme dhe janë gjëra që ndodhin në futboll.

Nuk e shoh qartë. Goli ka qenë normal, por para goditjes me kokë ka pasur diçka. Nuk e di, ju e keni parë më mirë, por nuk kapemi me një rast, nuk mjafton.

Eshtë normale, më vjen shumë keq për golin e dytë, pësuar në një moment kur sapo kishim shënuar dhe po luanim shumë mirë, edhe para se të shënonim. Pati edhe momente të tjera ku gabuam, kishte vendosje gabim, faulle të dhuruar. Janë gabime që duhen rregulluar patjetër.

Ishte një problem që ne e kemi trajtuar gjatë gjithë javës. Se sa zbatohen pastaj varet nga lojtarët, këta lojtarë kemi në dispozicion. Nuk është e thënë që të kalojmë në alarm sa herë ka goditje standarde, kemi edhe lojtarë shtatlartë në mbrojtje, por problemi është te presioni që ndjen skuadra në këtë moment mbi vete.

Situata e Tiranës ka qenë e kompromentuar që më parë, e dini shumë mirë këtë gjë. Gjithë ecuria e javëve të fundit, por edhe e fazës së dytë, është shumë negative për ne. Lojtarët duhet të qetësohen dhe të bëjnë shumë më tepër, sepse na duhen fitore, jo pikë dhe ndonjë barazim aty-aty. Po bëjmë shumë gabime individuale dhe gabojnë lojtarët të cilët ne shpresojmë që të marrin përsipër organizimin e skuadrës. Nëse bëjmë gabime elementare dhe pësojmë gola të tillë, është e qartë që humbet entuziazmi dhe besimi në vetvete, sidomos në këtë moment ku çdo rival vjen dhe shtrëngohet shumë në Tiranë.

Nuk është problemi te kthesa, edhe pse tani ndeshemi menjëherë me Besëlidhjen, por skuadra duhet të qetësohet, sepse kjo ndeshje ishte përballë një rivali si Vllaznia, me skuadër me shumë eksperiencë dhe me një profil loje të qartë, që e shfaqi sot, sidomos në fillim të ndeshjes,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Tiranës, Mirel Josa. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.