Josa: Kishim probleme në mesfushë, mungonte qarkullimi i lojës

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Trajneri i Tiranës, Mirel Josa, pas ndeshjes me Flamurtarin, në prononcimin për SuperSport, dhënë gazetarit Elvis Rexha, u shpreh se ekipi i tij kishte probleme në mesfushë, ndërsa theksoi se mungonte qarkullimi i lojës.

“Skuadra hyri pak me probleme në fushë dhe problemi ishte te mesfusha, sepse mungonte qarkullimi i lojës dhe pasimi i shpejtë i topit. Megjithatë, loja erdhi në rritje dhe kaq mund të bënim sot, pasi edhe zgjedhjet ishin të kufizuara.”

“Nuk u futëm në fushë për barazim, Tirana hyn në fushë për fitore, por kur nuk ke mundësi të fitosh, duhet të evitosh humbjen. Flamurtari, pavarësisht nga pozitat në renditje, ka shumë lojtarë cilësorë dhe mund ta ndryshojë shpejt lojën, prandaj kështu si shkoi ndeshja, një barazim më kënaq, në një ndeshje të barabartë.”

Sulmi shënon pak? “Nuk shoh ndonjë zgjidhje tek Akademia e klubit, sepse kemi marrë lojtarë prej andej dhe ata po luajnë. Kishim mungesa të shumta sot, ndërsa ata lojtarë që kemi, duke parë edhe gjendjen e tyre, dhanë aq sa kishin dhe aq mundësi kanë.

Nuk është se ata që mungonin sot kanë qenë të shkëlqyer në ndeshjet e shkuara. ”

Pika, kujt i vlen më shumë sot? “Për mendimin tim ajo i shërben më shumë Flamurtarit, duke parë pozitat në renditje dhe distancën mes nesh, apo edhe faktin që luanim në “Selman Stërmasi”. Ne duhet të përmirësohemi sidomos në fazën sulmuese.”

Teqja i majtë? “Një lëvizje e detyruar, sepse nuk kam askënd në të majtë, sepse përndryshe qendrën me dyshen Muça-Teqja nuk do ta lëvizja.”

Stadiumi “Selman Stërmasi” bosh? “E kam thënë gjithnjë që na duhen tifozët, sepse e kemi tepër të vështirë pa ta, por janë lojtarët ata që duhet t’i rifitojnë tifozët”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Tiranës, Mirel Josa. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.