Josa: Në Tiranë nuk do mbrohemi

0
SHPËRNDAJE

josa

Kryendeshja e javes në vijim do të jetë ajo mes Skënderbeut dhe Partizanit, e cila do të zhvillohet në Tiranë dhe do të mbyllë javën e 26të të kampionatit. Faqja zyrtare e Skënderbeut bën me dije se korçarët sot kanë mbyllur fazën përgatitore për ndeshjen që do të luajnë kundra Partizanit.

Trajneri Mirel Josa në një intervistë të dhënë nga “Tropikal” ka shprehur mjaft detaje rreth ndeshjes. Ai shfaq qartë synimin për të fituar tre pikët ndaj do hyjnë në fushë me dy sulmues, e cilëson një ndeshje të madhe, e vlerëson kundërshtarin pasi është një “luftë” mes rivalësh përkatësisht midis vendit të parë dhe vendit të dytë, por që nuk është vendimtare. Për më tepër më poshtë gjendet dhe intervista e trajnerit bardhekuq:

Josa Partizani-Skënderbeu të hënën në “Qemal Stafa”. Mund ta quajmë ndeshje kyçe të sezonit?

-Jo kurrësesi nuk mund të them se kjo është ndeshja kyçe e sezonit. Është një ndeshje radhe dhe si e tillë është e rëndësishme pasi të gjitha takimet që tani e në fund të sezonit janë të gjitha të rëndësishme. Por ndeshja e nesërme kundër Partizanit do të ketë një specifikë tjetër pasi është një përballje direkte mes vendit të dytë dhe vendit të parë të renditjes. Kjo është ajo që e bën më të rëndësishme këtë takim, por vetëm kaq. Pasi ndeshja vlen tre pikë ashtu siç kanë vlejtur edhe të tjerat takimet që luajtura deri tani.

Duke qënë kështu sa e vështirë i bie të jetë ky takim?

Natyrisht që është një ndeshje e vështirë. Do të përballen dy ekipet e para dhe zakonisht pritet të jetë një ndeshje shumë e fortë. Janë dy ekipe që kanë objektivat e tyre dhe secila kërkon që të kapë këtë objektiv, prandaj do të jetë edhe e luftuar në fushën e blertë.

Si është përgatitur dhe si shkon Skënderbeu në këtë transfertë?

Shkojmë në kushte perfekte. Jemi katër pikë para kundërshtarit dhe njëkohësisht vendit të dytë dhe kjo na bën që të jemi më të qetë dhe të tregohemi të kujdesshëm dhe të përqëndruar në këtë takim. Këto janë kushtet në të cilat ne shkojmë në këtë takim.

Fakti që kemi 4 pikë diferencë ju bën që të luani për dy rezultate në Tiranë?

Ne do të shkojmë atje për të bërë lojën tonë, dhe për të treguar se çfarë jemi të aftë të bëjmë. Unë nga ky takim kërkoj si zakonisht që ekipi të zhvillojë një lojë të mirë dhe kjo është e gjitha. Duhet të tregojmë karakter dhe të jemi të sertë në fushë.Më pas se çfarë rezultati do të dalë nga ky takim është diçka që mbetet për t’u diskutuar pas takimit.

Flitet se keni provuar shpesh për këtë takim një tjetër reshtim me tre mesfushorë qendre. Po mendoni një ekip më difensiv?

Absolutisht jo. Mund të përdor çfarë do lloj skeme në stërvitje, por të jeni të bindur se Skënderbeu nuk shkon për t’u mbrojtur në Tiranë. Ne do të bëjmë lojën tonë dhe Skënderbeu im do të luajë me dy sulmues kundër Partizanit. Kjo është pak, por e sigurtë.

I keni bërë kritika ekipit pas ndeshjes me Teutën. Kjo do të thotë se prisni reagim këtë javë?

Unë i kam bërë vazhdimisht kritika ekipit dhe lojtarëve të mi. Është diçka e mirë kur kritikat bëhen brenda ekipit dhe sidomos në një moment kur ekipi fiton. I kam bërë ato kritika për vetë faktin, që të arrij të mbaj të karrikuar lojtarët pasi në disa momente kam parë që lojtarë të caktuar nuk po bënin atë që bëjnë zakonisht në fushë. Kjo është e gjitha.

Çfarë vlerësoni dhe çfarë i druheni ekipit kundërshtar?

Për t’u druhur nuk i druhem askujt dhe asgjëje. Përsa i përket Partizanit, vlerësoj mënyrën sesi ky ekip kërkon të arrijë sukseset dhe mënyrën sesi përpiqet të përmbushë objektivat e vet. Për të tjerat mund të flas më mirë trajneri i Partizanit dhe jo unë.

Në këto kushte një fitore do e mbyllte garën për titull? 

Unë asnjëherë nuk flas me nëse në futboll. Gjithçka do të komunikohet pasi të ketë mbaruar takimi kundër Partizanit. Por nuk besoj se kjo ndeshje do të vendosë titullin pasi ka ende shumë takime përpara.

Së fundi si është situata me dëmtimet dhe pezullimet në ekip?

Nuk dua t’i ushtroj shumë vëmendje këtyre gjërave pasi janë krejt normale për një ekip gjatë një kampionati. Ne kemi zgjedhjet tona dhe për fat të mirë kemi shumë alternativa, kështu që do të luajë ai që është më mirë fizikisht.

Së fundi mund të na thoni një rezultat përfundimtar që prisni të hënën në mbrëmje në kryeqytet?

Ju e dini shumë mirë që Josa asnjëherë nuk bën parashikime dhe nuk ka për ta bërë një gjë të tillë asnjëherë. Unë pres që skuadra të japë atë që ka në fushën e lojës, pastaj për rezultatin do ta shikoni pasi të përfundojë ky takim.

 

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.