Josa: Nuk bëmë lojën që doja unë, skuadra bëhet kur futbollistët luajnë bashkë

0
SHPËRNDAJE

Trajneri i Tiranës, Mirel Josa, pas ndeshjes me Luftëtarin, në prononcimin për SuperSport, dhënë gazetarit Dritan Shakohoxha, është i kënaqur me fitoren 2-0 ndaj Luftëtarit, por ka rezerva për mënyrën si luajnë disa nga lojtarët e tij, ku i i “tërhoqi veshin” veçanërisht mesfushorit Nkounkou, duke e paralajmëruar që ai duhet të luajë më shumë për skuadrën dhe jo për vete.

“Sot nuk bëmë atë lojë që doja unë. Pavarësisht problemeve të mbartura me dëmtimet dhe kartonët, por edhe ato që dolën gjatë lojës, si dëmtimi Acquah, ne e lejuam vetë Luftëtarin të qarkullonte topin dhe të na vinte te porta, duke mos na lejuar as neve të bënim lojën tonë”.

“Pas golit, ekipi u qetësua psikologjikisht, por duhet të kuptojmë që një skuadër bëhet e tillë kur të gjithë futbollistët luajnë bashkë, jo vetëm për vete, siç bëjnë disa nga lojtarët tanë. Lojtarët e huaj, me eksperiencën e vogël që kanë në kampionatin shqiptar, nuk vijnë këtu vetëm për promovim, por për t’i shërbyer një ekipi. Normalisht, edhe promovimi i tyre do të bëhet në formë graduale.

Nuk dua të bëj polemikë me askënd, por ju e patë mesfushorin Nkounkou kur ishim 2-0 dhe donim të konsumonim sa më tepër kohë, qoftë për administrim rezultati apo për të kursyer energji. Ai nuk ka nevojë të më tregojë finte mua dhe tifozëve. Këtë nuk duhet ta bëjë as kur jemi 3-0. Megjithatë, nuk është problemi vetëm këtu, por lojtarët duhet të mendojnë më tepër për skuadrën sesa për veten e tyre”.

Halili? “Sulmuesit Halili iu dha shansi. E kontrolloi mirë topin në pjesën e parë dhe pasoi për mesfushorët Vucaj dhe Ndockyt. Ishte i saktë deri në njëfarë mase, por ka shumë për të bërë sa i përket vazhdimësisë. Duhet të përmirësohet. Ka presion të dyfishtë dhe ju e dini shumë mirë se për çfarë e kam fjalën. Sot më pëlqeu, por ndeshjen tjetër mund të jetë sërish titullar ose të ulet në stol. Ai vetë duhet të kuptojë që duhet të punojë fort për veten”.

Taku? “Afrim Taku sot luajti në dy pozicione, siç ka luajtur në gjithë kampionatin. Por edhe Gilman Lika ka merita se shpëtoi një gol para se të shkonim 2-0. Megjithatë, unë të dy lojtarët i barazoj me gjithë pjesën tjetër të skuadrës”.

Karabeci? “Kur luaj me dy lojtarë kontrollorë të mesfushës, unë do ta preferoj përherë kapitenin Karabeci. Vetëm ai duhet të luajë pak më shpejt. Sot vendosëm një lojtar para mbrojtjes dhe para tij mesfushorët Vucaj dhe Ndockyt. Me dëmtimin e Acquah kalova mesfushorin Daja në mesfushë dhe tërhoqa mesfushorin Taku në mbrojtje, duke qenë se Daja është i vetmi lojtar që mund të nxjerrë topin nga mbrojtja drejt sulmit. Kjo ishte zgjidhja që bëra”.

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.