Josa: Nuk merremi me vendimet e gjyqtarit Meta, nuk jam aspak i kënaqur

0
SHPËRNDAJE

Trajneri i Tiranës, Mirel Josa, pas ndeshjes me Partizanin, në prononcimin për SuperSport, dhënë gazetarit Ylli Aga, u shpreh se ai dhe klubi që ai drejton nuk merren me vendimet e gjyqtarëve, ndërsa theksoi se nuk është aspak i kënaqur.

Nuk merremi me vendimet e gjyqtarit Meta, tani po e shoh golin e parë të Partizanit dhe qenka pozicion jashtë loje, por i vështirë për t’u dalluar. Unë dëshiroja që skuadra të mos dhuronte faulle afër zone dhe gabuam në rastin e golit të parë.”

“Nuk jam aspak i kënaqur me fillimin e pjesës së dytë, sepse pas barazimit bëmë shumë gabime, u tërhoqëm shumë dhe bëmë pasime të gabuara. Partizani e shtoi presionin dhe na vuri në vështirësi, por më shumë për fajin tonë.

E humbëm shumë lehtë topin, nuk e qarkulluam topin si duhej kur e zotëronim ne.”

“Po shoh edhe pamjet filmike të një prekjeje me dorë nga ana e mesfushorit të Partizanit, Trashi në zonë. Gjyqtari i linjës, Rexha ishte shumë pranë dhe e kishte në dorë të sinjalizonte gjyqtarin kryesor Meta.”

Zëvendësimet? “I bëra me vonesë sepse aq lojtarë kam në dispozicion. Nuk e kam luksin të bëj shumë zëvendësime taktike dhe prandaj e mbajta sa më gjatë mundesha edhe mesfushorin Gilman Lika në fushë.”

Nëse do të kisha mundësitë, ndoshta do të luaja me një skuadër më mbrojtëse, për të parë më vonë për rezultat. E di çfarë elementesh kam në skuadër, duhet të vazhdojmë të përmirësohemi, nuk është problem që nuk e fitojmë prej kohësh derbin ndaj Partizanit.

“Duhet të mendojmë që tani për ndeshjen kundër Flamurtarit, sepse Hoxhallari është i pezulluar dhe nuk e dimë ende për disa lojtarë të tjerë. Unë e di mirë çfarë lojtarësh kam mbrapa dhe nuk e përballojmë dot mungesën e shumë lojtarëve njëherësh.”

Frika nga fundi i tabelës? “Edhe ky shqetësim ekziston, ndaj duhet të rigjejmë sa më shpejt fitoren dhe të ndryshojmë, nga unë dhe deri te futbollistët”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Tiranës, Mirel Josa. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.