Juliano:Skuadra ime mezi po e pret fillimin e sezonit të ri

0
SHPËRNDAJE

Trajneri i Partizanit Mark Juliano në konferenc për shtyp në prag të ndeshjes me Lacin .

Nesër luani ndaj Laçit, sa e njihni këtë kundërshtar?
Iuliano: Detyra ime është që të njoh skuadrat kundërshtare, edhe Partizanin. Sigurisht, kemi pasur pak vështirësi për të studiuar se si luan Laçi, sepse ka pësuar shumë ndryshime në sezonin e ri. Fatmirësisht bashkëpunoj me një staf, si shqiptar, ashtu edhe italian, i cili më ka mundësuar të gjitha informacionet e mundshme për këtë skuadër. Laçi është një skuadër mjaft e mirë, ka mjaft elementë cilësorë brenda saj, por ne jemi të vendosur të japim më të mirën, për ta nisur ashtu si duhet kampionatin.

Si është përgatitur Partizani për këtë përballje? A e keni formacionin të plotë për këtë ndeshje?

Iuliano: Skuadra mezi po e pret fillimin e sezonit të ri futbollistik. Kemi zhvilluar një fazë përgatitore mjaft të mirë, e cila do të na mundësojë për të zhvilluar një kampionat shumë pozitiv. Natyrisht, kemi edhe ndonjë problem fizik të ndonjë lojtari, por me grupin që kam në dispozicion do të bëjmë më të mirën ndaj Laçit e në vazhdim.

Sa e njihni Partizanin tashmë?

Iuliano: E njoh mjaft mirë skuadrën që po drejtoj. I njoh mjaft mirë lojtarët me të cilët kam punuar gjatë gjithë kësaj periudhe, sidomos lojtarët shqiptarë. Lojtarët kanë kuptuar çdo gjë që unë u kam transmetuar në përgatitjet verore, përsa i përket lojës që do të bëjmë, apo skemave. Jam shumë i kënaqur, sepse lojtarët kanë përthithur shpejt atë që u kam transmetuar.

Te Partizani ka konkurrencë të madhe tashmë. Sa e vështirë do të jetë për ju si trajner, sepse do të ketë edhe të pakënaqur?

Iuliano: Për mua është shumë e lehtë, që të hedh në fushë 11 titullarët, pasi kam në dispozicion lojtarë shumë cilësorë, mjaft inteligjentë. Edhe ata vetë e kanë kuptuar se gjithçka ka ndryshuar. Pra, ka hyrë një frymë e re në skuadër, në kuptimin që një skuadqër e madhe nuk mund të ketë në dispozicion 12 apo 13 lojtarë. Në fushë do të luajnë titullarë ata lojtarë që janë më cilësorë, paraqiten më mirë në stërvitje, por kjo do të varet edhe nga kundërshtari që do të kemi përballë.

E keni gati formacionin për nesër, ndaj Laçit?

Iuliano: Nuk është fare problem për formacionin në këto momente.

Edgar Çani do të jetë i grumbulluar?
Iuliano: Jo. Për ndeshjen e parë nuk do të jetë në dispozicion, pasi vjen nga një operacion. Tashmë po vijon fazën e riaftësimit. Gjithçka po ecën pozitivisht, por për ndeshjen ndaj Laçit nuk do të jetë gati. Gjendja e tij fizike po vjen gjithnjë në përmirësim, programi stërvitor i Çanit ka qenë disi specifik në raport me atë të skuadrës. Mendoj se ai do të jetë i gatshëm për ndeshjen e Kupës, që do të luhet në mesjavë.

Batha, apo La Camera?

Iuliano: Nesër do të luajë La Camera. E doni edhe pjesën tjetër të formacionit?

Të rinjtë e huaj, që vijnë kryesisht nga Italia, a e njohin realitetin e kampionatit shqiptar?

Iuliano: Çfarë doni të thoni me realitet i futbollit shqiptar. Si kudo, do të luajnë 11 kundër 11 lojtarëve. Lojtarët që kanë mbërritur kanë ardhur nga vende të ndryshme të Europës, me përjashtim të Mustafajit. Ata kanë ardhur këtu për të rritur cilësinë e grupit, por edhe për të pasur një konkurrenca mjaft të madhe në grupin e lojtarëve shqiptarë, që unë kam gjetur në grup.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.