Juventusi i jep leksion Barçës, gjysmëfinalja një hap larg

0
SHPËRNDAJE

E sotmja është një nga ato mbrëmje që do të mbetet gjatë në kujtesën e tifozëve të Juventusit. Skuadra italiane i dha Barcelonës një mësim të mirë, duke e mposhtur 3-0 në çerekfinalen e vajtjes për Ligën e Kampioneve.

Në “Juventus Stadium”, ekipi i trajnerit Massimiliano Allegri bëri një paraqitje në kufijtë e të përkryerës dhe nuk i la asnjë mundësi kundërshtarit të dilte në lojën e vet.

Që në minutat e para “Zonja e Vjetër” dha sinjale të qarta me sulmuesin Higuain, i cili goditi me kokë pas krosimit të mesfushorit Pjaniç por Ter Stegen i mohoi gëzimin që në minutën e tretë.

Megjithatë goli ishte pas dere dhe vetëm katër minuta më pas Paulo Dybala kaloi përpara Juven me një të majtë të ëmbël pas një pasimi të zgjuar të mesfushorit Cuadrado në zonë.

Miqtë nga Spanja përgjigjen me një pasim gjenial të sulmuesit Messi që nxjerr kapitenin Iniesta përballë portierit Buffon, i cili vesh petkun e shpëtimtarit duke devijuar në goditje këndi gjuajtjen e kapitenit katalanas.

Në aksionin pasardhës ekipi torinez ndëshkon sërish, po me sulmuesin Dybala. Asi argjentinas mori një pasim nga Mandzukiç në hyrje të zonës dhe pa u menduar dy herë mposhti portierin Ter Stegen me një kthesë të menjëhershme.

Përpjekjet e Barçës nuk kanë qartësinë e duhur dhe nga kjo situatë përfitojnë sërish vendasit dhjetë minuta pas pushimit mes pjesëve. Krosim i mesfushorit Pjaniç nga këndi dhe Chiellini, i vetëm në zonë, shënon me kokë golin që vulosi triumfin bardhezi.

Me këtë fitore Juve hedh një hap gjigant drejt gjysmëfinaleve, ndërsa Barcelonës do t’i duhet një tjetër mrekulli si ajo ndaj PSG-së në përballjen e kthimit më 19 prill në “Camp Nou”. /minuta90.com/

Juventus-Barcelona 3-0

Golat: Dybala 7’, 22’, Chiellini 55’

Juventus (4-2-3-1): Buffon, Alves, Bonuççi, Chiellini, Sandro, Pjaniç (Barzagli 89’), Khedira, Cuadrado (Lemina 73’), Dybala (Rincon 81’), Mandzukiç, Higuain (në dispozicion: Neto, Lichtsteiner, Marchisio, Asamoah) Tr: Massimiliano Allegri

Barcelona (4-3-3): Ter Stegen, Roberto, Pique, Umtiti, Mathieu (Gomes 46’), Rakitiç, Mascherano, Iniesta, Messi, Neymar, L. Suarez (në dispozicion: Cillessen, Alba, Digne, D. Suarez, Alena, Alcacer) Tr: Luis Enrique

Gjyqtarë: Szymon Marçiniak, Tomasz Listkiewicz, Pawel Sokolniçki, Pawel Raçzkowski, Tomasz Musial, Radoslaw Siejka

Kartonë të verdhë: Alves 28’, Mandzukiç 63’, Khedira 74’, Lemina 90’+1 / L. Suarez 53’, Iniesta 57’, Umtiti 90’+1

S'KA KOMENTE

Comments are closed.