“Kam dhënë prova, ta vërtetojnë që nuk vlej”

0
SHPËRNDAJE

Renato Malota
Renato Malota

Renato Malota nuk do të jetë më pjesë e skuadrës së Kukësit. Kapiteni që për katër vite ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm te verilindorët, ka folur në një intervistë të gjatë për “Panorama Sport”, duke treguar emocionet dhe marrëdhëniet me drejtuesit, si dhe të ardhmen e tij.

Presidenti Gjici ju falënderoi për 4 vitet e qëndrimit te Kukësi dhe njoftoi largimin tuaj…
Kam biseduar gjerë e gjatë me z.Gjici ku realisht me ofroi kontratë për të vijuar bashkëpunimin, por për të mirën e të dyja palëve menduam ta ndërpresim këtu bashkëpunimin tonë shumë vjeçar.

Cilat ishin shkaqet reale që sollën këtë vendim?
U largova për disa arsye që nuk dua t’i bëj publike, por dua të siguroj opinionin kuksian dhe atë sportdashës që më kanë ndjekur, se nuk ishte arsyeja financiare ajo pse unë u largova nga Kukësi.

Ishte një vendim i parapërgatitur, i cili u zbatua tani që juve ju përfundoi kontrata?
Mendoj që jo.

Çfarë nuk shkoi në ofertën që ju bëri presidenti?
Ai më bëri ofertë e cila ishte e pranueshme, por unë nuk pranova për disa arsye të tjera. E theksoj dhe që nuk dua t’i bëj publike.

Në momentin që erdhi trajneri i ri, ju thirrën në klub?
Nuk më ka thirrur fare dhe pse atij i ka takuar ta bëjë një gjë të tillë, si kapiten i ekipit qe isha, por s’dua të merrem me këto gjëra pasi i takojnë së kaluarës.

Flitet se nuk ishit në planet e stafit teknik për sezonin e ri…
Ne arritëm një sukses të madh me Kukësin dhe bëmë atë që askush më parë se ka bërë, fituam trofeun e parë, ku unë si kapiten në fushë, normalisht, kisha përgjegjësitë dhe detyrat e mia, të cilat i kreva me sukses. Vazhdojmë me Kupat e Europës, ku kaluam turin e parë ku unë isha kapiteni në fushë, gjithashtu dhe në turin e dytë ku siç morëm meritat për turin e parë morëm dhe përgjegjësitë për skualifikimin. Mos harrojmë që luanim kundra një ekipi të madh europian, kështu që desha të them se stafi i ri nuk ka arsye reale për të më nxjerrë mua jashtë planeve.

Gjithsesi është punë e tyre. Ndoshta, stafi i ri do të fillojë një rrugë të re, por që askush nuk e fsheh dot kontributin tim te Kukësi, pasi ai ka qenë real dhe këtë e dinë të gjithë. Një kontribut i bazuar në fakte dhe me vlera, njëlloj si ai i shokëve të mi të ekipit. Në momentin që u ndërrua trajneri, të paktën stafi teknik, nëse me të vërtetë unë nuk isha në planet e tyre, duhet të më thërrisnin dhe si burrat e si profesionistë t’i sqaronim gjërat sy më sy dhe me fakte reale, jo me opinione. Vlerat dhe provat unë i kam treguar në fushë, ndaj unë iki nga kjo skuadër me nder, me respekt dhe me kokën lart.

Shokët e skuadrës, tifozët, presidenti dhe gjithkush që e do me zemër këtë ekip që ne e sollëm në këto nivele do e shohë me vonë rolin e Renato Malotës në skuadër. Ia lëmë kohës, ajo është matësja më e mirë e gjërave. Nuk dua të hap polemika me askënd, i uroj klubit tim të ecë sa më shumë dhe sa më lart. Nëse dikush ma vërteton që Malota nuk vlen si lojtar apo dikush tjetër është më i mirë se unë në rolin tim, unë i jap dorën dhe si profesionist iki me dëshirë. Unë jam në kulmin e karrierës sime dhe do të vazhdoj të kontribuoj fort në klubin që do shkoj, me qëllim që të jap maksimumin tim dhe të fitoj trofe.

Mos ndoshta miqësia e krijuar me trajnerin Duro ju ka penalizuar?
Mendoj që jo. Dhe pse kam bindjen që po t’i shkonim deri në fund të gjithë bashkë, pra ai grup që fitoi Kupën e Shqipërisë do kishte fituar dhe kampionatin pa diskutim, pasi u krijua një frymë mjaft e mirë dhe arritëm që të kishim harmoni të plotë në grup, gjë që u reflektua në garë me 10 fitoret tona rresht, në kalimet e vështira të tureve në Kupë, ku nuk harrohen golat e qendrës së mbrojtjes të Shametit dhe të mitë, pa dyshim dhe të pjesës tjetër të skuadrës, ku përmbysja me Teutën ishte fantastike. Kështu që, nëse do ishim ai grup, si atëherë, gjërat do të ishin ndryshe.

Mund të na zbuloni diçka në lidhje me ofertat që keni marrë deri tani?
Kam disa oferta dhe shumë shpejt do e mësoni ekipin tim të ri. Por, qejf kam të luajë jashtë Shqipërisë, por ekzistojnë mundësitë që të vazhdoj të jem pjesë e Superiores.

Mund të na thoni kush janë objektivat e Malotës në të ardhmen?
Synimi im është të luaj në një ekip të mirë dhe të shkoj sa më lart me këtë ekip. Jam në kulmin e moshës si sportist, kam pjekurinë e duhur, dëshirën dhe vullnetin e madh që një ditë të jem pjesë e Kombëtares së madhe të Shqipërisë. Dua ta mbyll duke i uruar më të mirat klubit të Kukësit dhe presidentit Gjici, që sërish më ofroi të jem pjesë e Kukësit, por Malota ka akoma shumë për të dhënë në futboll në rolin e një kontribuesi real në fushë, me dinjitet dhe protagonist. I jam mirënjohës dhe njëherë presidentit, klubit, tifozëve sidomos që më kanë dashur dhe respektuar maksimalisht dhe gjithmonë do jenë në zemrën time./Panorama-sport.com

S'KA KOMENTE

Comments are closed.