Kamza në superformë. Duam fitore ndaj Partizanit

0
SHPËRNDAJE

Kamza/ Fitorja në ndeshjen e fundit ndaj Laçit në shtëpi ka shtuar dozat e optimizmit te skuadra e Kamzës, e cila vazhdon të jetë në garë për të konsoliduar pozitat e saj në tabelën e klasifikimit.

Objektiv primar mbetet mbijetesa, por, në rast se skuadra do të ecë me këto ritme, mund të pretendojë edhe për diçka më shumë. Gjithsesi, euforia e fitores në shifrat 3-1 ndaj bardhezinjve ka kaluar te skuadra e drejtuar nga trajneri Ndreu dhe ky i fundit u ka kërkuar futbollistëve të tij që të mendojnë për ndeshjen e radhës.

Edhe pse kalendari i rezervon një sfidë jashtë fushe, Kamza do të qëndrojë në kryeqytet ku do të ketë përballë Partizanin. Ndreu është duke përgatitur skuadrën e tij për këtë ndeshje delikate, ku, edhe pse të kuqtë nuk po kalojnë një nga momentet e tyre më të mira, kanë nevojë për pikë.

Gjithsesi optimizmi në radhët e kamzalinjve është i lartë dhe lojtarët kanë premtuar se do të bëjnë maksimumin për të arritur një tjetër fitore, por në një sfidë të tillë edhe barazimi do të ishte i pranueshëm.

Klubi ka kërkuar edhe mbështetjen e tifozëve, ndërsa lojtarët janë përqendruar te seancat stërvitore dhe këshillat që trajneri po jep gjatë tyre.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU