Kamza, Presidenti Naim Qarri pranë skuadrës: Jepni maksimumin dhe mos i ndërlikoni ndeshjet

0
SHPËRNDAJE
loading...

Kategoria e Parë / Polemikat që shoqëruan fitoren e Kamzës ndaj Burrelit nuk janë pritur mirë nga drejtuesit e klubit. Presidenti Naim Qarri ka qenë dje në stërvitjen e ekipit dhe bashkë me trajnerin Ramazan Ndreu kanë zhvilluar një analizë me lojtarët.

Qarri ka lëshuar kritikat e tij në drejtim të grupit, duke u shprehur se ndeshja nuk duhej ndërlikuar aq shumë. Megjithatë, ai ka kërkuar në vazhdim nga të gjithë lojtarët përkushtim maksimal si dhe lojë korrekte në drejtim të kundërshtarit.

Ndërkohë që trajneri Ndreu ka bërë edhe një analizë taktike të lojës së ekipit, duke vënë edhe piketat për ndeshjen e radhës që do të luhet ndaj Shënkollit në transfertë.

Deklarata

Elmaz Basriu, që ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit në ndeshjen ndaj matjanëve, në një prononcim për “Panorama Sport” është shprehur:

“Kamza është një skuadër e ndërtuar për t’u përfaqësuar në elitë dhe për këtë skuadra duhet të luftojë deri në fund, duke kërkuar në çdo përballje trepikëshin. Na mbeten dhe 3 ndeshje, të cilat janë tri finale, por rruga drejt elitës do të kalojë më parë në takimin me Shënkollin, ku skuadra duhet medoemos të triumfojë.

Për ne e rëndësishme në këtë takim nuk është loja, por pikët, pasi kampionati ka hyrë në fazën e tij finale. Sigurisht që edhe kundërshtari ynë është një ekip i fortë edhe pse ka qenë debutues në këtë kategori dhe vlerësimi për të ka qenë i madh. Madje mund të them se është një rival më i vështirë se vetë Besëlidhja, që është ekipi konkurrent kryesor i yni.

Kjo sepse në këtë ekip, përveç elementit cilësor, është dhe përkushtimi që lojtarët shënkollas japin në çdo ndeshje. Ne do të shkojmë në Shënkoll për një ndeshje “fairplay” ku do të respektohet kundërshtari, por ajo që është më e rëndësishme për ne do të jetë fitorja”.

Skuadra

Në stërvitjen e djeshme, te kamzalinjtë ka pasur edhe disa probleme lojtarësh, si braziliani Lelis apo edhe Frashëri, që kanë dëmtime. Por, lajmi i mirë vjen nga kapiteni i skuadrës, Jetmir Sefa, i cili po shkon drejt rikuperimit të plotë dhe mund të jetë i gatshëm për ndeshjen e së shtunës në Shënkoll. Gjithsesi një gjë e tillë do të konfirmohet në ditët në vijim. / PanoramaSport

S'KA KOMENTE

Comments are closed.