Kamza “shkarkon” 3 trajnerë, radhën e ka Milinkovic

0
SHPËRNDAJE

Superiorja/ Nga Daniel Fernandez i Luftëtarit, tek Armando Cungu i Vllaznisë dhe së fundmi te Mark Iuliano i Partizanit, skuadra e Kamzës është kthyer në një makth për trajnerët e Superiores. I pari u shkarkua pas fitores së kryeqytetasve, në Gjirokastër në shifrat 1-2. Ndërsa, Cungu u largua nga drejtimi i ekipit pas humbjes së Vllaznisë në Kamzë në shifrat 1-0. Me të njëjtin rezultat humbi edhe Iuliano me Partizanin e tij në të njëjtin stadium.

DEKLARATA

Tre teknikët e sipërpërmendur janë larguar nga pozicionet e tyre pikërisht pas humbjeve me ekipin e drejtuar nga Ramadan Ndreu. Ky i fundit, në një prononcim për “Panorama Sport”, u shpreh:

“Unë nuk di gjë se çfarë ndodh me trajnerët e Superiores dhe problemet që ata kanë me drejtuesit apo me vetë klubin. Ne shohim punën tonë. Nëse shkarkimet e tyre janë bërë, nga humbjet me skuadrën tonë, për këtë nuk jam unë ‘mëkatari’. Ne kemi një objektiv si skuadër dhe çdo kundërshtar e vlerësojmë maksimalisht, duke kërkuar gjithnjë maksimumin e kjo ka qenë plotësisht e efektshme, pasi jemi përballë pa frikë ndaj çdo kundërshtari të Superiores.

Fakti që ne jemi në vendin e 4-t tregon se puna jonë është në rrugë të mbarë. Arritja aktuale ka ardhur si pasojë e një pune sistematike dhe të një merkatoje mjaft të shkëlqyeshme në verë. Edhe pse skuadra jonë u krijua rishtas, ne parashikonim që efektet të vinin pas javës së 7-të të kampionatit.

Sigurisht që efektet e tanishme, duke u renditur në krye të 4 skuadrave më të mira të vendit, janë si pasojë e punës tonë si staf teknik, por edhe në sajë të përkushtimit të drejtuesve të klubit, si presidenti Naim Qarri po ashtu edhe të kryebashkiakut Xhelal Mziu. Të jem i sinqertë, nuk e prisnim që të ishim këtu”, ka sqaruar tekniku kamzali.

Madje, me shaka, ai thotë: “Ne do të fitojmë edhe javën e ardhshme ndaj Kukësit, mbase është radha e të katërtit”, ka qenë batuta e Ndreut. Nën drejtimin e tij, në përfundim të fazës së parë të kampionatit, kamzalinjtë kanë arritur të sigurojnë katër fitore, tri barazime dhe dy humbje, duke qenë shumë pranë zonës europiane.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.