Cana: Fitore historike, tani kemi Danimarkën

0
SHPËRNDAJE

11407133_917318414996290_231871697953449586_nMiqësorja/Kombëtarja – Pas fitores së Shqipërisë, 1-0 ndaj Francës, kapiteni i kombëtares është shprehur i lumtur, por jo euforik në intervistën e pasndeshjes.

“Në vecanti u paraqitën mirë të afruarit e fundit Aliji dhe Ajeti, por i gjithë ekipi luajti fort. Kjo fitore ishte e rëndësishme por nuk do të thotë që tani ne jemi më të miret. Duhet të jemi ekip perëndimor, jo më ballkanas. Kjo na ka lënë mbrapa deri më tani”, – vazhdoi Cana.

Në fund kapiteni nuk harroi t’i urojë edhe shërimin e shpejtë mbrojtësit Mërgim Mavraj, që mendohet të mungojë deri nga nëntori i këtij viti.

“Jemi të kënaqur me këtë fitore, do të donim shumë të ishte jo thjesht një ndeshje miqësore, por kjo nuk ka edhe shumë rëndësi. Paraqitja jonë vjen jo rastësisht, kjo fitore është frut i punës së jashtëzakonshme të bërë gjatë viteve të fundit, sidomos nën drejtimin e trajnerit Gianni De Biasi. Franca vinte nga një rezultat negativ, edhe pse në kuadër miqësoresh, por gjithsesi presioni ishte i lartë për të mos dalë kokëulur nga Elbasani. Siç e thashë, ky rezultat është si pasojë e punës që kemi bërë dhe shpresojmë ta vazhdojmë edhe me një rezultat pozitiv ndaj Danimarkës. Jemi rritur duke parë breza të tërë lojtarësh të mëdhenj, si Bushi, Bogdani, Hasi, Lala etj, por pse jo të mos jemi ne, që të arrijmë suksesin e parë me futjen në një Europian, si ai i vitit 2016, që do të luhet pikërisht në Francë”, deklaroi Cana.

Ndërkohë që edhe autori i golit, Ergys Kaçe, ka thënë se është shumë i gëzuar për golin e shënuar, por shton se ky rezultat nuk duhet të shtojë euforinë në ekipin kombëtar, sepse ishte vetëm një ndeshje miqësore, dhe se vëmendja duhet kthyer te takimi i radhës me Danimarkën, pasi ai është më i rëndësishmi për kualifikueset e Europianit.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.