Karikohen kuqeblutë: Ndalim dhe Skënderbeun!

0
SHPËRNDAJE

Analizë me frymë pozitive për ndeshjen e fundit te Vllaznia. Pas barazimit në Kukës, ka optimizëm për fitore në ndeshjen e radhës me korçarët

Gaspër Marku

Vllaznia dhe Ernest Gjoka janë gati për të “vjedhur” pikë ndaj Skënderbeut kryesues. Në “Reshit Rusi”, kuqeblutë duan të paktën një pikë, ndërkohë që objektivi i tyre maksimal është fitorja, ndonëse deri te ndeshja e luajtur duhen disa ditë. Ashtu siç ishte paralajmëruar, Vllaznia është paraqitur mesditën e së martës në fushën sportive të Golemit duke nisur kështu javën e re stërvitore, e cila sipas lajmit më të fundit nga FSHF do të mbylljet me ndeshjen e fundjavës, atë të orës 14.00 të së dielës, kur në stadiumin numër 2 të qytetit të Shkodrës, atë “Reshit Rusi” do të presin ekipin korçar. Një sfidë kjo, që për të gjithë në kampin kuqeblu është mëse e logjikshme, që ka të bëjë me një ndeshje shumë të vështirë. Përballë do të ketë, jo vetëm skuadrën kryesuese të tabelës së klasifikimit, por për hir të së vërtetës skuadrës më në formë aktualisht në Superligën e futbollit shqiptar.

ANALIZA – Para fillimit të seancës stërvitore, kuqeblutë kanë bërë ritualin e zakonshëm, atë të zhvillimit të analizës së ndeshjes së kaluar. Asaj të luajtur të dielën në Kukës ku kuqeblutë barazuan me rezultatin 2-2. Nga sa bëhet e ditur ka qenë një analizë e karakterizuar me frymë pozitive për vetë atë që skuadra kuqeblu shprehu në përballjen me kuksianët në transfertë. Një gjë të tillë e konfirmojnë zyrtarisht edhe drejtuesit e klubit kuqeblu, administratori Astrit Gjyrezi dhe drejtori sportiv Eugent Zeka, të cilët kanë qenë prezent gjatë zhvillimit të kësaj analize. “Gjatë diskutimeve të bëra, ndeshja që zhvilloi Vllaznia në Kukës është konsideruar përgjithësisht si pozitive, por që ka pasur padyshim brenda edhe gabime të cilat duhet punuar për t’i korrigjuar në ndeshjet e ardhshme”, citojnë burimet zyrtare të klubit kuqeblu. Ndër të tjera, ata kanë nënvizuar edhe atmosferën pozitive sa i përket anës psikologjike të skuadrës, çka tregon për një ndryshim klime për mirë në skuadër duke sjellë entuziazmin edhe për ndeshjet e tjera në vazhdim, përfshirë edhe atë të kësaj fundjave me Skënderbeun. “Ajo që duhet përmendur është se klima në skuadër duket shumë pozitive dhe entuziaste. Futbollistët kanë shprehur besim në vazhdimin e rezultateve pozitive dhe për këtë arsye fokusi do të jetë i përqendruar tek ndeshja e së dielës ndaj Skënderbeut ku pavarësisht emrit të kundërshtarit, do të tentohet marrja e fitores. Vllaznia i ka mundësitë për ta bërë këtë gjë dhe do të kërkojë ta demonstrojë këtë gjë edhe në fushën e lojës”, thuhet në informacionin zyrtar të dalë nga analiza e djeshme, e cila ka zgjatur rreth 60 minuta.

Vllaznia- Skënderbeu luhet të dielën në “Reshit Rusi”

Ndryshim vendi dhe dite. Vllaznia ka vendosur të qëndrojë në Shkodër për të sfiduar Skënderbeun e vendit të parë. Gjithsesi, ndeshja nuk do të luhet të hënën, por të dielën në orën 14:00. veç ditës ka ndryshuar edhe vend. Vllaznia-Skënderbeu e vlefshme për javën e nëntë të Superligës nuk do të luhet në Korçë apo në ndonjë qytet tjetër, por në Shkodër, pikërisht në fushën sportive “Reshit Rusi”. Vendimi tashmë është zyrtar dhe është bërë i ditur nga vetë klubi shkodran në faqen e tij. Kërkesa e shkodranëve është aprovuar nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe po ashtu është vendosur që kjo ndeshje të mos luhet ditën e hënë siç u deklarua fillimisht por të dielën në orën 14.00. Mbjellja e barit të ri në stadiumin “Loro Boriçi”, e bënte të pamundur luajtjen e kësaj ndeshje në këtë impiant sportiv. Në këto kushte, u diskutua spostimi i takimit për në Korçë në mënyrë që pastaj ndeshja e fazës së dytë të luhej në Shkodër. Drejtuesit e Vllaznisë nuk kanë qenë dakord me këtë gjë dhe ata kanë insistuar për të luajtur në “Reshit Rusi”. Kjo gjë është miratuar më së fundi dhe prandaj ndeshja ndaj Skënderbeut do të luhet pikërisht në këtë fushë. Në fakt, Vllaznia edhe para dy sezonesh ka qenë me fat ndaj korçarëve duke luajtur aty.

Kontingjent i plotë, edhe Atsina “ok” 

Me përfundimin e analizës së ndeshjes së kaluar, radhën e ka pasur procesi stërvitor, ku për teknikun Gjoka ka pasur një lajm të mirë. Gatishmërinë e të gjithë futbollistëve për ndeshjen e fundjavës me Skënderbeun. Në këtë kontingjent bën pjesë edhe ganezi Çarls Atsina, frika ndaj të cilit ishte për ndonjë problem fizik që mund të ketë ardhur me rikthimin në fushë pas një pauze të gjatë kohore. Por, sipas edhe stafit mjekësor, gjendja e Atsinës është OK, dhe për këtë edhe ditën e djeshme ai është stërvitur me grupin e parë, që do të thotë se me të gjitha gjasat, falë edhe formës speciale, që ai paraqiti në ndeshjen e kaluar me Kukësin, tekniku Gjoka do t’i besojë sërish atij majën e sulmit kuqeblu edhe për ndeshjen me Skënderbeun.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.