Kategoria e dytë / Egnatia për rekord

0
SHPËRNDAJE

Kategoria e dutë / Egnatia e Rrogozhinës nuk di të ndalet. Skuadra rrogozhinase ka regjistruar dje fitoren e 13-të radhazi në kampionat dhe vazhdon të udhëheqë e shkëputur nga vendi i dytë. Egnatia e ka siguruar praktikisht rikthimin në Kategorinë e Parë ku pas javës së 16-të është 11 pikë më shumë se Vllaznia B e vendit të dytë. Dje rrogozhinasit kanë fituar në Koplik ndaj Veleçikut vendës. Ka qenë Melani me dopietën e tij që i ka siguruar të tijve këtë 3-pikësh.

Ndeshja

Takimi është luajtur në praninë e një numri të madh tifozësh. Loja nis e shpejtë dhe vendësit krijojnë disa raste Hasën, Mesin dhe Hotajn, por këta lojtarë nuk tregohen të saktë në finalizim. Atë që nuk e bëjnë vendësit, e realizojnë miqtë. Në minutën e 32-të është Melani që finalizon saktë dhe kalon të tijtë në avantazh.

Në fillimin e pjesës së dytë, Sulejmani ka një rast të mirë për të dyfishuar për Egnatian pas gabimit të mbrojtjes vendëse, por nuk arrin të realizojë. Në minutën e 66-të është sërish Melani që dyfishon dhe i jep qetësi Egnatias. Me avantazhin e dy golave, miqtë e kanë shumë të lehtë ta menaxhojnë rezultatin.

Në fund të ndeshjes, trajneri i Veleçikut, Besnik Duli, tha: “Bëmë një paraqitje të mirë, pavarësisht rezultatit”. Ndërsa tekniku i Egnatias, Vladimir Gjoni, deklaroi: “Fituam me meritë ku jemi brenda objektivit për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë”.

Në 15 ndeshjet e zhvilluara deri tani, Egnatia ka arritur 14 fitore dhe ka pësuar vetëm një humbje. Ekipi është shumë pranë rikthimit në Kategorinë e Parë.

Vllaznia B blindon vendin e dytë, Balaj godet kundërshtarin

Vllaznia B vazhdon të ruajë vendin e dytë. Shkodranët dje kanë arritur një fitore të lehtë 3-0 ndaj Kevitanit të vendit të fundit. Vllaznia B, edhe pse me 10 lojtarë që nga minuta e 38-të, pas daljes me karton të kuq të Balaj pas një gjesti antisportiv duke goditur kundërshtarin e tij. Arsen Hajdari shënon golin e parë për vendësit në të 35-ën. Pjesa e dytë nis me një gol të shkodranëve, të cilët dyfishojnë rezultatin me anë të Dibrës në minutën e 49-të. Ndeshja mbyllet 3-0 teksa golin e tretë e realizon sërish Hajdari duke vulosur këtë fitore.

Vora nis “luftën”, mund Gramshin me një gol direkt nga goditja e këndit

Vora mund Gramshin në shtëpi dhe vijon luftën e saj për vendin e dytë në Grupin A. Të besuarit e trajnerit Topi, të udhëhequr nga bomberi Shkëmbi në sulm, arritën të dilnin me tri pikë nga kjo përballje. Një sfidë ku vorakët fituan lehtësisht përballë një kundërshtari që nuk ishte në lartësinë e duhur.

Me trepikëshin e djeshëm, Vora ngjitet në kuotën e 27 pikëve, katër më pak se Vllaznia B që renditet e dyta. Synimi i ekipit të drejtuar nga Topi është pikërisht vendi i dytë që e dërgon në “play-out”. Nga ana tjetër, Gramshi mbetet në vendet e fundit dhe nuk lufton për asgjë.

Ndeshja

Pjesa e parë nis e vakët nga të dyja ekipet dhe pa intensitet në lojë. Për të zhbllokuar shifrat e këtij takimi mendoi i zakonshmi Shkëmbi që dërgoi topin në rrjetë në fundin e pjesës së parë. Miqtë u kujdesën më shumë për mbrojtjen, por nuk ia arritën qëllimit që të mbanin të paprekur portën e tyre.

Gjatë fraksionit të dytë të lojës, vorakët shtuan ritmin në kërkim të golit të sigurisë, ndërsa miqtë provuan me anë të kundërsulmit, por pa rezultat. Ceka në të 66-ën realizoi një supergol direkt nga goditja e këndit duke i dhënë qetësi skuadrës së Vorës. Shifrat ndryshojnë përsëri. Në minutën e 78- të është sërish Shkëmbi që finalizon saktë dhe vulos fitoren e Vorës 3-0. Në minutën e 81-të miqtë realizojnë golin e nderit me anë të Zogut. Në minutat e mbetura nuk ka më histori dhe Vora ia del të fitojë ndeshjen e radhës.

Javën e ardhshme, ekipin e drejtuar nga Eldiano Topi e pret një transfertë shumë e vështirë në Rrogozhinë ndaj Egnatias vendëse. Që prej krijimit si klub rreth 5 vite më parë, Vora ende nuk e ka shijuar Kategorinë e Parë. Ky është viti që do të tentohet vendi i dytë dhe ngjitja nëpërmjet “play-out”-it.

Internacionali feston vetëm 9 minuta, rikthehet Albpetroli

Albpetroli rikthehet te fitorja dhe mund Internacionalin. Një 3-pikësh që e ngjit skuadrën patosarake provizorisht në vendin e 4-t. Loja ka nisur mirë për vendësit ku në minutën e 15-të Hatia kroson një top në zonë, por Hidersha nuk e çon në rrjetë. Në fraksionin e dytë, vendësit bëjnë zëvendësim në sulm ku del Llakaj dhe futet Muhametaj. Ferko në minutën e 49- të zhbllokon rezultatin duke u dhënë avantazhin vendësve me një gol të bukur. Miqtë befasojnë duke barazuar me anë të Henzës. Megjithatë, në të 66-ën është Hatia që shënon golin e avantazhit për Albpetrolin.

Rikthehet “derbi inferior”, Partizani B nuk njeh humbje

Pas derbit të madh të kryeqytetit ndërmjet Partizanit dhe Tiranës, një tjetër derbi pritet të zhvillohet këtë të martë në kompleksin “Internacional” në Pezë-Helmës. Java e 16-të e Kategorisë së Dytë rezervon “derbin” Partizani B-Tirana B. Në këto derbe inferiore të skuadrave B, ka më shumë tolerancë dhe janë më paqësore. Këtë e tregoi më së miri edhe derbi i fazës së parë mes tyre, zhvilluar në stadiumin “Skënder Halili” ku nuk pati kordonë policie mes dy tifozerive.

Edhe pse në letër të kuqtë e teknikut Genci Mahmutaj kanë një avantazh të lehtë pasi në dy vitet e fundit nuk janë mposhtur asnjëherë nga bardheblutë, sërish mbetet një takim shumë i fortë. Në sfidën e fazës së parë, ndeshja u mbyll në barazim 1-1 me golat e Keqës dhe Jaupajt.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.