Kavani-Nejmar bëjnë paqe duke shpartalluar Bajernin e Mynihut

0
SHPËRNDAJE


Champions League/ E donit provën e madhështisë? Ja ku e keni! Paris SG mund të thotë me plot gojën se është një nga skuadrat më të forta të kontinentit, pas konfirmimit që pati ndaj një superfuqie, Bajernit të Mynihut. Fitorja që u arrit në “Park dë Prensis” ishte shumë e madhe, 3-0, edhe pse tradita e dueleve franko-gjermane ka qenë e tillë edhe më parë (PSG i kishte fituar bindshëm të tria ndeshjet në fushën e vet ndaj bavarezëve në vitet 1994-2001).

Dy superblerjet, Nejmar dhe Mbape ishin më shumë sesa mund të mbanin gjunjët e të besuarve të Karlo Ançelotit, që u duk më i plakur se kurrë nën goditjet e adoleshentit Mbape, dhe të 25-vjeçarit Nejmar. Bajerni edhe më parë ishte mundur, por nuk ishte dorëzuar ndonjëherë aq plotësisht sa ç’i ndodhi këtë herë në kryeqytetin e Francës.

“Park dë Prensis” pati edhe një lajm tjetër të madh, pajtimin (siç besohet) mes Nejmarit e Kavanit. Dy yjet që ishin grindur keq pak ditë më parë për një goditje dënimi dhe një penallti, u përqafuan me bindje të plotë pas golit të tretë. Dani Alvesh shënoi golin e parë që në minutën e 2-të, pas topit të marrë nga Nejmar. Kavani realizoi të dytin, i ndihmuar nga Kilian Mbape, ndërsa goli i tretë u shënua nga Nejmar, me ndihmë sërish të Mbapesë. Për Kavanin ishte goli i 10-të në po kaq ndeshje këtë sezon.

Duhet theksuar, gjithsesi, se Bajerni që u paraqit në Paris nuk ishte ai i zakonshmi. Jo Nojeri, jo Boatengu, Humelsi në stol, Riberi në stol, Robeni si zëvendësues në 69’, Rafinja në stol, por Levandovski e Hames Rodrigez ishin titullarë. Kolumbiani u zëvendësua, gjithsesi, me të nisur pjesa e dytë. Havi Martinez dhe Tomas Myler patën disa raste kur ndeshja ishte 1-0, por nuk ia dolën dhe pastaj Bajerni e humbi fare.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.